Arbëri

Rama e Abazoviqi takohen me Zelenskyn

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, priti të mërkurën në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në Kiev.

Zelensky përmes një postimi në rrjetet sociale i ka quajtur mysafirët partnerë të rëndësishëm të Ukrainës në luftën për liri.

“Partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të vijnë në Ukrainë. Dhe ky është një manifestim i rëndësishëm i mbështetjes për popullin tonë. Sot u takova me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq”, shkroi Zelensky.

Takimi do të pasohet nga konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit Rama, kryeministrit Abazoviq dhe presidentit Zelensky.

Më herët, Rama dhe Abazoviq vizituan ekspozitën “Forever free Ukraine”, ku dëshmohen gjurmët e agresionit të Rusisë në Ukrainë përmes ekspozimit të objekteve të luftës, sendeve personale dhe fotove të ushtarëve dhe civilëve të vrarë, mes tyre edhe fëmijë.

Ndërsa pa nga afër dëshmi tronditëse të kësaj lufte, Rama la një shënim në Librin e Shënimeve të vendosur në ambientet e kësaj ekspozite.

“Bota ta ndalojë këtë tmerr dhe Ukraina të dalë e rilindur prej tij!”, shkroi Rama në Librin e Shënimeve.

Rama do të takojë gjatë ditës edhe kryeministrin Denys Shmyhal dhe kryetarin e bashkisë Kiev, Vitali Klitschko. /Atsh