Arbëri

MPJD-ja nuk sqarohet rreth dyshimeve për ndërhyrje në tenderin e veturave

MPJD

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është deklaruar të premten rreth tenderit për veturat e këtij dikasteri, për të cilin raportoi KOHA se ka dyshime për dallavere. Derisa MPJD-ja e ka cilësuar si të “pjesshme dhe jo reale” përmbajtjen e stories së publikuar, ajo nuk ka ofruar sqarime edhe për mospërputhjet në dosje

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka dhënë një përgjigje për tenderin e blerjes së veturave, dy ditë pasi KOHA raportoi se blerja ishte bërë nëpërmjet një procesi të dyshimtë prokurimi.

Në përgjigjet e përcjella të premten, por që nuk përmbajnë informacionet e kërkuara me shumë pyetje, MPJD-ja fillimisht është ankuar se stafi i Divizionit për Komunikim me Publikun është i mbingarkuar me punë dhe ka shumë angazhime ditore, dhe se “përgjigjet ka qenë e pamundur të përgatiten brenda ditës”.

Pyetjet i ishin dërguar MPJD-së më 24 maj në ora 12:26, ndërsa pjesa e parë e artikullit ishte publikuar më 25 maj në edicionin e lajmeve të orës 19:00. Krahas kësaj, nuk ka pasur një kërkesë nga MPJD-ja për ta shtyrë botimin e stories, nën arsyen se do t’i duhej më shumë kohë për t’i përgatitur përgjigjet.

Sipas MPJD-së, informacioni i lëshuar në opinion ka qenë i pjesshëm dhe joreal.

“MPJD-ja ka qenë në përgatitje të sqarimeve për pyetjet që ju keni dërguar pasditen e së martës lidhur me tenderin në fjalë. Marrë parasysh faktin që stafi i Divizionit për Komunikim me Publikun është i mbingarkuar me punë dhe ka shumë angazhime ditore, përgjigjet në temën tuaj ka qenë e pamundur të përgatiten brenda ditës. Aq më tepër, kur përgjigjet në tema që lidhen me proceset e prokurimit/tenderimit marrin kohë, dhe këtë e dini edhe ju si gazetar”, shkruan në përgjigjen e kësaj ministrie.

“Ndaj do t’iu ishim mirënjohës, nëse për tema të tilla të ndjeshme, do të pritnit për përgjigje, para se ta lëshonit në publik një informacion të pjesshëm dhe joreal, ngase ne besojmë që synimi juaj është informimi i drejt i publikut. Megjithatë, kronika u lëshua, para se ne të përcjellim te ju përgjigjet, ndaj vlerësuam se s’kishte kuptim që ato të përcillen sërish te ju. Por mbrëmë (e enjte), ju kishit vazhduar sërish ta keqinformonit publikun lidhur me këtë tender, përmes të dhënave, shifrave që nuk janë të vërteta. Duke e vlerësuar si të dëmshëm informimin jo të drejtë, të pjesshëm dhe devijues, ne për korrektësi, po u përcjellim përgjigjen rreth pyetjeve që keni dërguar në MPJD me datë 24”.

Por, në përgjigje, MPJD-ja nuk ka dhënë sqarime në shumicën e pyetjeve që ka dërguar KOHA, e që ndërlidhen me dyshimet për ndërhyrje në dosjen e tenderit.

Ministria e Jashtme i çoi 300 mijë euro në vetura përmes një aktiviteti të dyshimtë prokurimi

Tenderi për blerjen e veturave në MPJD (2): Pazari u bë në Ambasadën e Kosovës në Zagreb

Ashtu siç ka raportuar KOHA, MPJD-ja ka konfirmuar se tenderimi është zhvilluar me procedurë të negociuar.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka realizuar këtë aktivitet të prokurimit, bazuar në planin vjetor të prokurimit për këtë furnizim, duke i zbatuar procedurat përkatëse të prokurimit dhe duke u referuar dhe respektuar procedurat në pajtueshmëri me Ligjin nr. 04/042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 konkretisht, PJESA X - PROCEDURAT E POSAÇME TË PROKURIMIT PËR MISIONET DIPLOMATIKE DHE KONSULLORE, në rastin konkret në pajtueshmëri me nenin 125-Përdorimi i Procedurës së Negociuar”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Mbështetur në të, vlera totale e kontratës është 157 mijë e 279 euro që MPJD-ja ka paguar për blerjen e veturave për nevojat e misioneve diplomatike dhe konsullore. Për të njëjtën ka raportuar edhe KOHA në pjesën e dytë të hulumtimeve. Por, Ministria nuk ka dhënë sqarime se pse në urdhër të blerjes figuron shuma prej 300 mijë eurove, as për mospërputhjet mes shifrave të vëna me kompjuter dhe atyre me dorëshkrim.

MPJD-ja nuk është përgjigjur as për dyshimet se dosja e tenderit është nënshkruar nga zyrtarë të paautorizuar.

Zyrtari përgjegjës i administratës, Xhelal Gega, kishte refuzuar ta nënshkruante vazhdimin e procedurave, sikurse paraprakisht edhe eprori i tij, Agron Maloku, me arsyen se nuk ka pasur kërkesa nga ambasadat për furnizim me vetura.

Pas refuzimit të tyre, Ministria ka vijuar procedurat, duke i përshtatur datat në mënyrë retroaktive, por me zyrtarë të tjerë. Mbi dosjen e njëjtë me numër prokurimi 21621020 ka vazhduar aktiviteti, ndërkaq në mesin e nënshkruesve të tenderit, krahas zyrtarit financiar dhe atij të prokurimit, është Ragip Zejnullahu nga Departamenti i Administratës së Përgjithshme, ku dy zyrtarët e tjerë kishin refuzuar vënien e firmave.

Zejnullahu në atë periudhë ka qenë në pritje të sistemimit në MPJD, derisa të hynte në fuqi rregullorja përkatëse e MPB-së për këtë çështje. MPJD-ja nuk ka treguar si ka ardhur deri te përfshirja e tij në këtë aktivitet prokurimi dhe mbi çfarë baze ligjore. Sqarime nuk janë dhënë as për përfshirjen e kabinetit të ministres Gërvalla, prej së cilës ka dalë lista se cilat ambasada duhet furnizuar me vetura.

Negocimi për blerjen e vetura nga kompania “Porshe-Kroacia” ishte bërë në Ambasadën e Kosovës në Zagreb. MPJD-ja ka dhënë një arsyetim për këtë.

“Për shkak te situatës së krijuar nga pandemia, ka mungesa të veturave në treg në të gjithë botën dhe se në bazë të hulumtimit të tregut, vetëm në Kroaci kemi gjetur vetura të gatshme për shitje në stok”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas MPJD-së, këto vetura janë shpërndarë në misione diplomatike në vendet e Bashkimit Evropian, por nuk është treguar nëse janë 10 vetura, aq sa kishte planifikuar t’i blejë ministria për misionet diplomatike.

Sipas pagesës që ka prezantuar KOHA, të cilën e konfirmon edhe MPJD-ja në përgjigje, del se janë blerë vetëm 5 vetura.

KOHA në vazhdimësi ka raportuar në mënyrë profesionale për shkeljet ligjore të cilat janë mbështetur në dokumente, shpesh të siguruara në rrugë jozyrtare për shkak të mungesës së transparencës nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Edhe pse u është ofruar mundësia e përgjigjes para botimit për secilin rast dhe vendim, të shumtën e rasteve nuk janë ofruar sqarime për shkeljet.