Arbëri

Ministria e Jashtme i çoi 300 mijë euro në vetura përmes një aktiviteti të dyshimtë prokurimi

Ministria e Jashtme kishte kontraktuar fundvitin e kaluar vetura në vlerë prej 300 mijë eurosh për misionet diplomatike dhe konsullore. Por, mbështetur në dokumentacionin që ka siguruar KOHA, ky proces prokurimi është shoqëruar me parregullsi dhe janë hedhur dyshime edhe për ndërhyrje në dosjen e tenderit, të cilën fillimisht kishin refuzuar ta nënshkruanin zyrtarët përgjegjës. Në këtë proces prokurimi ka qenë i përfshirë edhe kabineti i ministres Gërvalla

Me një ekspres-aktivitet prokurimi, fundvitin e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka blerë vetura në vlerë prej 300 mijë eurosh. Dosja e tenderit dhe komunikimet brenda Ministrisë lënë dyshime për dallavere në këtë proces, meqë pazari me kompaninë fituese ishte vendosur në Ambasadën e Kosovës në Kroaci. Në këtë aktivitet tenderimi është përfshirë edhe kabineti i kryediplomates Donika Gërvalla.

Më 8 dhjetor 2021, Zyra e Sekretarit të MPJD-së kishte autorizuar Xhelal Gegën për fillimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizim me vetura dhe kombi për MDK (Misionet Diplomatike të Kosovës v.j.)”. Këtë aktivitet prokurimi, Ministria e kishte zhvilluar nëpërmjet procedurës së negocimit.

Gegës i ishte kërkuar të përgatiste deklaratën e nevojave për disponueshmërinë e Fondeve, të nënshkruar nga zyrtari i autorizuar, zyrtari kryesor administrativ dhe zyrtari kryesor financiar i autoritetit kontraktues; dëshmia e zotimit të mjeteve; kërkesa për inicimin e procedurës bashkë me specifikacionin teknik të detajuar me paramasa dhe parallogari të detajuara. Dokumentacioni i ishte përcjellë me nënshkrim nga ushtruesja e detyrës së sekretares, Elmaze Pireva dhe zyrtari kryesor financiar, Bejta Kapiti. Vlera e parashikuar në tender ishte 335 mijë euro.

Por burime të KOHËS kanë thënë se Gega nuk kishte pranuar të bëhej pjesë e procesit, sikurse paraprakisht edhe eprori i tij, Agron Maloku, me arsyen se nuk kanë pasur kërkesa nga ambasadat për furnizim me vetura.

Pavarësisht refuzimit të tyre, Ministria ka vijuar procedurat, duke i përshtatur datat në mënyrë retroaktive, por me zyrtarë të tjerë.

Përderisa formulari që i ishte dërguar Gegës mbante datën 8 dhjetor 2021, tjetri ishte përpiluar retroaktivisht më datë 5 dhjetor 2021. Pra, mbi dosjen e njëjtë, me numër të njëjtë prokurimi, ka vazhduar aktiviteti për ta realizuar këtë blerje.

Në mesin e nënshkruesve të tenderit, krahas zyrtarit financiar dhe atij të prokurimit, është edhe Ragip Zejnullahu nga Departamenti i njëjtë ku udhëheqësi dhe zyrtari tjetër kishin refuzuar vënien e firmave. Por, ndryshe prej Gegës, MPJD-ja nuk ka treguar nëse Zejnullahu ka pasur autorizim për nënshkrimin e tenderit si zyrtar i administratës dhe cila ka qenë pozita e tij në momentin e nënshkrimit.

I kontaktuar nga KOHA, Zejnullahu ka thënë se sqarimet lidhur me këtë çështje i ka deponuar në Zyrën për Informim Publik, por të njëjtat nuk i janë përcjellë të mërkurën KOHËS. Sqarime nuk kanë ofruar as zyrtarët e tjerë të përmendur në artikull.

Mbështetur në informacionet që ka siguruar KOHA, Zejnullahu në atë periudhë as nuk ka qenë pjesë e Ministrisë. Si ish-zyrtar i Ministrisë së shuar të Diasporës, ai ka qenë në pritje të sistemimit në MPJD, derisa të hynte në fuqi rregullorja përkatëse e MPB-së për këtë çështje.

MPJ-ja ka konfirmuar muajin e kaluar se rregullorja tashmë ka hyrë në fuqi, porse është në fazën tranzitore të implementimit të saj, dhe e cila “do të përfundojë me procesin e ristrukturimit dhe sistematizimit të vendeve të punës që do ta bëjë komisioni i pavarur dhe profesional, i cili është themeluar dhe udhëhiqet nga Njësia për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (MPB)”.

Para se të punësohet në Ministrinë e Diasporës, Zejnullahu ka qenë udhëheqës i zyrës së prokurimit në Lipjan gjatë qeverisjes së PDK-së. Në vitin 2013 ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në këtë Komunë, gjatë shpalljes së tenderit për asfaltimin e rrugëve “Shqipëria” dhe “Haradin Bajrami” në Lipjan, ka shkelur kriteret e parapara të prokurimit publik. Por në mars të 2017-s, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar akuzën ndaj Zejnullahut.

E, në aktivitetin e prokurimit të MPJD-së që ka të bëjë me blerjen e veturave është përfshirë edhe kabineti i ministres Gërvalla.

Tek pas nisjes së procedurave për blerjen e veturave, këshilltari për çështje ekonomike, Luan Jusufi i kishte nisur shkresë sekretares Elmaze Pireva me listën e misioneve të cilat duhet furnizuar me vetura. Shkresa që ka siguruar KOHA konfirmon se Ministria nuk ka qenë në dijeni se sa vetura dhe të çfarë tipi do të blihen, pavarësisht nisjes së procedurave.

“Pasi që jemi në proces të blerjes së veturave për nevoja të MKD-ve, por nuk kemi informatë të saktë se sa vetura do të blihen dhe të cilit tip, ne e kemi përgatitur listën prej 10 MKD-ve për furnizim me vetura, të cilën e gjeni bashkëngjitur. Varësisht sa vetura do të blihen, do të furnizohen me vetura të MKD-ve të ranguara më lart në listë. Gjithashtu, MKD-të e ranguara më lart në listë do të furnizohen me vetura të llojit (tipit) më të mirë (Audi, Passat, Peugeot, Citroen etj)”, shkruan në letrën e Jusufit dërguar administratës.

Mbështetur në listën prioritare, kabineti kishte vlerësuar se vetura duhet të dërgohen në Bruksel, Budapest, Berlin, Lubjanë, Zagreb, Dyseldorf, Shtutgart, Frankfurt, Vjenë dhe Strasburg.

Jusufi ka arsyetuar përfshirjen e kabinetit në tender.

“Vetëm më është kërkuar lista e veturave në emailin me shkrim, më 10 dhjetor. Ne nuk e kemi ditë në atë moment sa vetura do të blihen, por e kemi përgatitur listën që kemi marrë prej departamentit të logjistikës, pra vjetërsinë e veturave dhe formën e pronësisë, nëse është e MPJ-së apo me lising. Qëllimi ka qenë që ato misione që i kanë veturat e vjetra të furnizohen dhe ato me lising pasi detyrohemi me pagu shuma të larta për to”, ka thënë Jusufi.

Sa u përket dyshimeve për manipulim të datave në dosjen e tenderit, Jusufi thotë se nuk ka qenë në dijeni.

“Më vonë jam njoftuar pasi ka ndodhur marrëveshja. Jam njoftuar për ato që kanë ndodhur, që fillimisht marrëveshja nuk është nënshkruar prej zyrtarit përkatës, pastaj ka nënshkruar dikush tjetër. Nuk kam qenë i njoftuar për këtë. Nuk ka qenë detyrë e imja me e ditë, sepse është punë e administratës së Ministrisë”, ka shtuar Jusufi.

Sipas udhëzuesit operativ për prokurim publik, vlerësimi formal i nevojave për aktivitete të prokurimit duhet t’i drejtohet zyrtarit kryesor administrativ për aprovim nga njësia kërkuese. Nëse ai aprovon inicimin e aktivitetit të prokurimit, i njëjti duhet të ofrojë një kopje të vlerësimit të nevojave për zyrtarin kryesor për financa, i cili duhet të sigurohet që fondet janë në disponueshmëri për prokurimin në fjalë.

(Nesër mund t’i lexoni detajet nga takimet që komisioni vlerësues ka zhvilluar në Ambasadën e Kosovës në Kroaci, përkitazi me këtë tender dhe takimet me kompaninë, prej së cilës janë kontraktuar veturat)