Me avancimin e bashkëpunimit në mes nivelit qendror dhe atij lokal, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural synon krijimin e politikave të duhura zhvillimore bujqësore, duke krijuar kështu kushte të favorshme për zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë në çdo regjion të vendit. Kështu është shprehur të premten ministri i këtij dikasteri, Faton Peci.
Në një takim me kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj dhe atë të Istogut, Ilir Ferati, Peci është njoftuar për zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në këto komuna.
“Përmes takimeve të tilla dhe vizitave në terren po njihem edhe me gjendjen e përgjithshme të zhvillimit të sektorit të bujqësisë, blegtorisë dhe pylltarisë në çdo rajon, si dhe me sfidat dhe problemet me të cilat përballen fermerët në vend. Në këtë mënyrë po krijojmë një pasqyrë të gjendjes së sektorit nëpër çdo rajon të vendit dhe po krijojmë mundësitë që të ndërmarrim masa adekuate për të krijuar kushte më të mira, më të favorshme dhe më të përshtatshme për punë për të gjithë bujqit në vend”, ka theksuar Peci.
Siç thuhet në njoftimin e MB-së, të dy kryetarët e falënderuan Pecin për gatishmërinë për avancimin e bashkëpunimit me nivelin lokal, si dhe për zgjatjen e afatit të aplikimit për subvencione, gjë e cila sipas tyre është mirëpritur nga fermerët e këtyre komunave.