Arbëri

Rusia i quan trillime masakrat në Reçak dhe Bucha

Ministri i Jashtëm e Rusisë, Sergey Lavrov, ka akuzuar SHBA-në për atë që po ndodh në Ukrainë dhe krimet atje i ka lidhur edhe me ato në Kosovë.

Lavrov në një intervistë për mediat ruse, përcjell “B92” të enjten, ka thënë se krimet në qytezën afër Kievit, Bucha, janë trillime dhe se ato i ngjajnë, sipas tij me atë që ka ndodhur në fshatin Reçak më 1999, kur forcat serbe vranë dhjetëra civilë.

Lavrov tha se si në Bucha ashtu edhe në Reçak nuk pati krime.

Në fakt, si pamjet e Buchas ashtu edhe ato të Reçakut kanë prekur ndërgjegjen e botës demokratike.

Në Reçak, forcat serbe vranë 45 civilë, ndërkohë emërtimi i këtij krimi si gjenocid nga ish-kryesuesi i OSBE-së, William Walker, bëri që NATO-ja të ndërhyjë për të ndalur krime të tjera të Serbisë. Në Bucha, forcat ruse kanë vrarë shumë ukrainas, teksa pas largimit nga qyteti, janë gjetur kufomat me duar të lidhura.

Si Rusia, ashtu edhe Serbia nuk i pranojnë këto krime.

"Në të njëjtën mënyrë është bërë më 23 prill në Bucha, afër Kievit. Është e njëjta skemë. Funksionon, pavarësisht nëse bind dikë apo jo. Ata (amerikanët v.j.) as nuk kishin pse të bindin dikë. Bombarduan Jugosllavinë, e bënë Kosovën të pavarur, duke shkelur të gjitha parimet”, ka thënë Lavrov.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.