Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një konference të përbashkët për media në Vilnius me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda, sërish ka përsëritur qëllimin e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO, BE dhe Këshill të Evropës.
Osmani ka thënë se është absurde që në kuadër të Partneritetit për Paqe të NATO-s, gjenden shtete anti-NATO si Bjellorusia e Serbia, por Kosova nuk ka marrë ftesë për t’iu bashkuar Partneritetit.
Ajo ka falënderuar Lituaninë për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, ndërsa ka thënë se anëtarësimi në NATO duhet parë nga këndvështrimi i sigurisë.
“Besoj se anëtarësimi në NATO duhet shikuar nga perspektiva e sigurisë. Për këtë, gjithë shtetet liridashëse në Evropë, që duan të kontribuojnë për paqe e siguri, meritojnë të jenë në NATO. Dhe apiratat për anëtarësim të tyre duhet përkrahur. Besoj se jo vetëm te Finlanda e Suedia, por edhe shtetet në rajonin tonë, si Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, duhet përkrahen me një proces të përshpejtuar anëtarësimi. E them këtë, jo vetëm se 93 për qind të qytetarëve të Kosovës janë pro anëtarësimit në NATO, por edhe se ka qenë aspirata jonë historike që nga viti 1999, kur NATO na doli në ndihmë dhe ndaloi gjenocidin ndaj popullit tonë. Sot po përballemi me një situatë absurde, ku shtetet që janë anti-NATO, si Bjellorusia e Serbia, janë në Partneritet për Paqe, e Kosova ende nuk ka marrë ftesë për t’iu bashkuar”, ka thënë Osmani në konferencë.
Ajo ka shtuar se Kosova do të punojë me shtetet anëtare dhe organizatën për të bërë hapin e parë drejt anëtarësimit dhe se po ashtu synon të plotësojmë sa më shpejt kriteret për anëtarësim.
Osmani ka thënë se e kupton Lituaninë, pasi edhe Kosova gjendet në situatë ku ka një fqinj agresiv.
“Për fat të keq fqinji ynë Serbia vazhdon t’i shërbejë interesit të Rusisë në rajon dhe është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë e po vazhdon t’i shërbejë agjendës malinje e destabilizuese të saj”, tha Osmani.
Ajo ka shtuar se Kosova më mirë se të gjithë e kupton vuajtjen e popullit ukrainas, pasi e ka përjetuar një gjë të tillë nën lëkurën e saj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.