Arbëri

Maxharraj flet për hulumtimin serb me artefakte të vjedhura në Kosovë

Gazetari i KOHËS, Shaban Maxharraj, ka rrëfyer të mërkurën në "Sonte me Rronin” në KTV, se si disa arkeologë serbë krijuan punim shkencor duke u bazuar në disa artefakte të vjedhura në Kosovë.

Këto artefakte, sipas Maxharrajt janë vjedhur gjatë procesit të restaurimit të Kalasë së Nobobërdës që nisi në vitin 2015, derisa tenderin për këtë e kishte fituar një kompani me seli në Beograd, “Koto”

“Prej vitit 2015 kur ka nisur restaurimi i Kalasë së Novobërdës ka pasur parregullsi. BE-ja ka vendosur që këtë ta administrojë UNESCO-ja. Më pas, ajo e ka hapur një thirrje publike dhe ka vendosur që tenderin t’ia japë kompanisë me seli në Beograd. Dyshimet kanë ekzistuar gjithmonë. Duke u marrë me diskutime sesi po ecin procedurat, një prej miqve më thotë se ka parë një publikim në një revistë që bazohet në një gjetje në Kosovë. Janë pesë autorë serbë, të cilët materialin e kanë publikuar në një intervistë shkencore. Është krijuar hulumtimi me artefakte të vjedhura. Kompania ‘Koto’ e ka pasur edhe një prej arkeologëve më të njohur serb sa i përket Mesjetës. Pesë autorët e publikimit e falënderojnë profesorin për sjelljen e materialit arkeologjik dhe krijimin e qasjes në material që të studiohet”, ka thënë Maxharraj.

Ai ka shtuar se ka komunikuar edhe me stafin e revistës “Journal of Archaeological Science” ku është publikuar punimi.

“Ai (redaktori i revistës v.j) ka kërkuar kontaktet e institucioneve kosovare të cilat mund të dëshmojnë se këto artefakte janë kontrabanduar. Në fund të muajit mars, ai ka marrë përgjigje nga Instituti i Arkeologjisë se është duke u marrë me këtë çështje. Redaktori i punimit na ka shkruar se Instituti i Arkeologjisë nuk i ka kthyer përgjigje, prandaj nuk do ta tërheqë artikullin. Ai thotë se ka komunikuar me autorët e publikimit dhe se ata kanë deklaruar se nuk janë në dijeni që është bërë kontrabandim dhe kanë shprehur gatishmëri që artefaktet t’i kthehen Kosovës”, është shprehur ai.

Maxharraj ka treguar se KOHA ka siguruar një raport të Inspektoratit me gjetjet dhe rekomandimet për Ministrinë e Kulturës lidhur me këtë rast, të cilat do të publikohen në numrin e së enjtes të gazetës “Koha Ditore”.