Kulturë

Rikonfirmohet kontrabandimi i artefakteve të Novobërdës për në Serbi, Ministria “heton”

Komunikimi ndërmjet stafit të “Journal of Archaeological Science” dhe autorëve serbë që publikuan punimin për artefaktet e Novobërdës e rikonfirmon faktin që materiali arkeologjik u bart në Serbi pa dijeninë e institucioneve të Kosovës. Bordit redaktues i ishte thënë se autorët kanë menduar se artefaktet do t’i ktheheshin Muzeut Kombëtar të Kosovës, teksa kanë dhënë një arsye se përse kjo nuk ka ndodhur. Institucionet e Kosovës tash e një muaj nuk i kanë kthyer përgjigje redaksisë së revistës, e cila është në pritje që ta tërheqë artikullin nëse shteti zyrtarisht ia konfirmon se artefaktet janë kontrabanduar. Ministria e Kulturës ende po e “heton” këtë rast, përderisa e ka në tavolinë raportin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore

Stafi i revistës “Journal of Archaeological Science” ka një muaj që është duke pritur përgjigje nga institucionet e Kosovës sa i përket studimit të autorëve serbë të materialit arkeologjik që është marrë nga Kalaja e Novobërdës. Por institucionet ende nuk i janë përgjigjur revistës e cila ka treguar gatishmëri se nëse materiali arkeologjik është dërguar jashtëligjshëm në Beograd, studimi shkencor i financuar nga shteti serb do të tërhiqet nga botimi.

Menjëherë pas raportimit të KOHËS se studimi i pesë autorëve nga Serbia i publikuar në “Journal of Archaeological Science” dëshmon se gjatë viteve 2015 dhe 2016, artefakte të Novobërdës janë kontrabanduar për në Serbi, stafi i revistës ka kontaktuar KOHËN. Redaktori i artikullit, biologu Chris Hunt, i cili është pjesë e Bordit redaktues, ka kërkuar kontaktet e institucioneve përgjegjëse të Kosovës sa i përket trashëgimisë arkeologjike. Hunt, i cili është edhe profesor në universitetin “John Moores” në Liverpul, ka treguar gatishmëri që nëse institucionet kosovare deklarojnë se materiali arkeologjik është dërguar jashtëligjshëm në Beograd, stafi i revistës do të reagojë. Në këtë rast, hap i parë do të ishte largimi i studimit “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” nga versioni online i revistës. Ky studim me pesë autorë i financuar nga Qeveria e Serbisë nxjerr në pah se disa gjetje arkeologjike të Kalasë së Novobërdës janë bartur për në Serbi pa dijeninë e autoriteteve të Kosovës.

Për KOHËN këtë e kishin konfirmuar edhe vetë institucionet e trashëgimisë kulturore, por pos kësaj nuk është marrë ndonjë hap tjetër.

Më 2015, kompania me themelues dhe pronar Zlatan Tomiqin, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Gjatë kësaj kohe edhe është bërë bartja e materialit arkeologjik për në Beograd. Një gjë e tillë – se ekzistonte mundësia që të merreshin artefakte nga Novobërda – ishte hedhur si dyshim edhe disa vjet më parë në shkrimet e vazhdueshme të KOHËS kur raportohej për restaurimin.

Redaktori i artikullit të botuar, Chris Hunt, nëpërmjet postës elektronike i ka treguar KOHËS se kanë kontaktuar me Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe me Ministrinë e Kulturës. Sipas tij, institucionet kanë bërë të ditur se kanë pranuar shkresat, por ende nuk janë përgjigjur.

“Kështu që ne duhet të vijmë në përfundim se autoritetet e Kosovës nuk ishin në gjendje të vërtetonin veprimin e keq”, ka thënë ai, duke iu referuar marrjes së materialeve arkeologjike. Hunt ka treguar, po ashtu, se kanë kontaktuar autorët e punimit shkencor.

Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, janë autorë të punimit që është financuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës në Serbi.

“Kam kontaktuar edhe me autorët, të cilët janë mërzitur shumë nga akuza. Duket se konsulenti përgjegjës për restaurimin në Novobërdë (i cili ishte ish-koleg i njërit prej autorëve) ua ka dhënë atyre materialet arkeologjike për analizë. Ata i analizuan dhe i publikuan materialet duke besuar se transferimi nga Kosova në Serbi ishte legjitim, dhe me shpresën që materialet të ktheheshin në Muzeun e Kosovës pas përfundimit të analizave”, ka thënë Hunt. Në punim, autorët falënderojnë arkeologun e Institutit Arkeologjik të Serbisë, Marko Popoviq, për krijimin e qasjes dhe mbështetjen në analizimin dhe publikimin e materialit. Popoviq, i cili vdiq në vitin 2020, ishte studiues i arkeologjisë mesjetare dhe ka qenë i ngarkuar si mbikëqyrës në punimet që janë zhvilluar në Kalanë e Novobërdës.

Image

Hunt ka përmendur faktin se Popoviq ka vdekur dhe, sipas tij, materiali ka mbetur pa u kthyer në Kosovë.

“Autorët me sa duket po kërkojnë që materialet t'i kthehen Muzeut të Kosovës. Në këto rrethana ne mendojmë se nuk do të ishte e drejtë të hiqnim publikimin nga ueb-faqja jonë. Shpresojmë që transferimi i materialeve në Muzeun e Kosovës të jetë i mundshëm në të ardhmen e afërt”, ka thënë ai. Hunt ka bërë të ditur se në të ardhmen do të jenë të vëmendshëm duke kërkuar dokumentacionin që vërteton bartjen legale të materialeve arkeologjike para se studimet e tilla të publikohen.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se Ministria e Kulturës e ka përcaktuar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore si institucion i cili është marrë me çështjen e materialit arkeologjik.

“Redaktorëve të revistës u ka treguar se do të përgjigjemi pasi të përfundojë procesi”, ka thënë Rexha.

Drejtori i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Imer Hakaj, të martën ka thënë se raporti është i gatshëm.

“Raportin të premten e kemi dorëzuar te Ministria e Kulturës bashkë me rekomandime për hapat që duhen ndërmarrë”, ka thënë ai. KOHA ka marrë vesh nga MKRS-ja se gjatë kësaj jave do të shqyrtohet Raporti dhe do të ndërmerren hapat e paraparë.

“Do t’i përgjigjemi edhe revistës bashkë me disa hapa të tjerë”, ka thënë një prej zyrtarëve të përfshirë në këtë rast.

Në fillim të muajit MKRS-ja është përgjigjur duke thënë se ky institucion e ka të rëndësishme që të konfirmojë me saktësi dokumentare faktin e nxjerrjes jashtë territorit shtetëror të artefakteve që janë gjetur gjatë zbatimit të projektit të restaurimit të Kalasë së Novobërdës.

E pas insistimit të KOHËS, në emër të kompanisë “KOTO” zyrtari ligjor, Darko Gligorijeviq, kishte thënë se UNESCO-ja ka qenë zbatuese e procedurës së prokurimit dhe se në përputhje me rolin e saj ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për punime konservuese dhe restauruese. Kishte treguar se në disa raste shumë gjetje arkeologjike i janë dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës. Në anën tjetër, Zyra e BE-së ka sqaruar se gjatë punimeve janë zbuluar mbetje të rëndësishme arkeologjike; si dy objekte banimi, një ndërtesë për komandantin e asaj hapësire, një kishë, më pas një hamam i vogël me oxhak e po ashtu edhe sistemi i ngrohjes prej hipokausti.

E Zyra Rajonale e UNESCO-s në Sarajevë nuk është përgjigjur asnjëherë rreth kësaj çështjeje.