Kur i ishte konfirmuar se prej Kalasë së Novobërdës janë kontrabanduar artefakte për në Serbi, ashtu sikurse edhe restaurimi joprofesional, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku kishte paralajmëruar disa hapa. Janë bërë tre muaj, e për këtë rast nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Në maj ishin bërë tok drejtues institucionesh, janë dhënë disa propozime por pa ndonjë veprim konkret
Në qershor Ministria e Kulturës kishte paralajmëruar disa hapa sa u përket kontrabandimit të materialit arkeologjik të Kalasë së Novobërdës për në Serbi e po ashtu edhe për konservimin e restaurimin që rezultoi se ishte joprofesional në këtë monument. Ishte vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku që kishte thënë se shteti do të marrë përsipër konservimin dhe restaurimin e strukturave të Kalasë në atë që njihet si qyteti i epërm. Po ashtu, synonte kërkim dëmshpërblimi për punë joprofesionale.
Por deri me tash del se shteti ka heshtur sa i përket kësaj çështjeje.
Pas raportimit të KOHËS në ditën e 28-të të marsit se revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)”, të pesë autorëve nga Serbia, ku shpërfaqeshin rezultate të artefakteve të Novobërdës, të marra gjatë viteve 2015 dhe 2016, MKRS-ja kishte kërkuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që ta trajtojë këtë çështje. Raporti kishte nxjerrë në pah se materiali arkeologjik është kontrabanduar. Më pas ky raport ishte plotësuar edhe me të dhëna të tjera duke bërë që shteti të ketë një bazë për të nisur procedura të tjera.
Më 2015, kompania “KOTO”, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO-ja. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar.
Por Ministria e Kulturës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHË-s për hapat e paralajmëruar.
Kurse Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk është në dijeni për ndonjë risi.
Në maj të këtij viti në Ministrinë e Kulturës ishin mbledhur udhëheqësit e disa institucioneve për të diskutuar për këtë çështje.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha kishte dalë me propozim.
“Unë kam propozuar që të formohet një komision profesional, pasi në rastin e Kështjellës kemi disa lëmenj profesionalë dhe pastaj ai komision të vendosë si të veprohet tutje”, ka thënë Rexha. Sipas tij, prej atëherë më nuk është ftuar për këtë çështje.
“Më nuk na ka thirrur askush”, ka thënë ai të martën.
Në qershor ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se institucioni që ai e drejton e ka për obligim të jetë i hapur me publikun për çështjen e Novobërdës. Por në këtë rast nuk mund të bëhen të ditura të gjitha.
“Kjo çështje lidhet direkt me Serbinë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm për veprimet që i ndërmarrim, pasi kemi të bëjmë me një kundërshtim të shtetit tonë, i cili i shfrytëzon mundësitë për të mohuar çdo aktivitet në vendin tonë”, kishte thënë ministri Çeku. Ai kishte paralajmëruar disa hapa.
“Përgjegjësinë për Novobërdën duhet ta marrim ne përfundimisht, pa marrë parasysh se në këtë projekt kanë qenë të involvuar nga UNESCO-ja e deri të Bashkimi Evropian ose kompani të ndryshme nga Kroacia e Serbia. Është momenti i fundit që institucionet tona ta marrin tërësisht përgjegjësinë”, kishte thënë ai. Kishte paralajmëruar shumë kujdes edhe në raport me detyrimin për t’i dizajnuar hapat e ardhshëm nga vlerësimi i dëmit të shkaktuar e deri te dëmshpërblimi që do të kërkohej.
Në fund të prillit, një Raport prej 16 faqesh i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore konstatonte se në Kalanë e Novobërdës, pos trafikimit të materialit arkeologjik, ishin bërë edhe punime joprofesionale, gjë që kanë rezultuar me shembje të fasadës së gurtë. Konstatohej se studimet e bërë nga studiuesit serbë tentonin ta paraqisnin lokalitetin veç si qytet mesjetar serb. Aty jepen edhe rekomandime se si duhet të veprojë MKRS-ja. Ndër to i rekomandohej ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes.
“Meqenëse përmbushen elementet e veprave penale, MKRS-ja duhet ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes ndaj përgjegjësve të dëmeve të shkaktuara gjatë punimeve dhe gërmimeve arkeologjike”, shkruhet në Raport. Po aty, te pjesa e rekomandimeve shkruhet se “pas evidentimit të hollësishëm të dëmeve, përfshirë edhe të gjetjeve arkeologjike të nxjerra jashtë vendit, përmes UNESCO-s të kërkohet kthimi i tyre në vendin e origjinës”.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Raport shkruan se institucionet e Serbisë, Instituti Arkeologjik i Serbisë, Muzeu Kombëtar në Beograd, Fakulteti i Teknologjisë në Beograd dhe Universiteti i Novi Sadit kanë bërë analizën e një mostre arkeologjike të periudhës së mesjetës së vonë, lëkurë e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani.
“Kjo mostër arkeologjike nga vendi i origjinës është nxjerrë dhe bartur jashtë vendit në mënyrë ilegale nga lokaliteti arkeologjik shumështresor, pa dijeninë dhe lejen e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”, shkruhet në Raport.
Pos studimeve të publikuara në Serbi, shteti serb ka financuar edhe të tjera që synim e kishin audiencën më të gjerë.
Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski e dy ligjërueset në Universitetin e Novi Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, janë autorë të punimit që është financuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës në Serbi.
Revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval toën of Novo Brdo (Central Balkans)”, që nxirrte në pah edhe trafikimin e artefakteve.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimi kulturore pa kufij” (CHëB Kosova), kishte thënë se MKRS-ja në këtë rast është dashur që të dërgonte nota verbale dhe të kërkonte përgjegjësi. Shoshi është prapë i të njëjtit mendim.
“Në rastin konkret mendoj se revista duhet ta tërheqë artikullin. Kanë publikuar materiale të kontrabanduara. Në rastin e dytë, MKRS-ja do të duhej që ta dërgonte një notë proteste dhe t’u thoshte UNESCO-s dhe BE-së se në këtë projekt të tyre ka pasur kontrabandim dhe të kërkohet përgjegjësi”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, në lokalitete arkeologjike që përfshin zona të mëdha shteti duhet të jetë prezent me ekipe menaxhimi multidisiplinare gjatë gjithë kohës. Sipas tij, aty duhet të ketë vazhdimisht njerëz që do të merreshin me menaxhim, studim e mirëmbajtje.
Pas insistimit të KOHËS, në emër të kompanisë “KOTO”, zyrtari ligjor, Darko Gligorijeviq, kishte thënë se UNESCO-ja ka qenë zbatuese e procedurës së prokurimit dhe se në përputhje me rolin e saj ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për punime konservuese dhe restauruese. Kishte treguar se në disa raste shumë gjetje arkeologjike i janë dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Sipas Gligorijeviqit, i cili Kosovës i referohet me fusnotë, në dy raste “kompania ka dorëzuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës* disa gjetje të luajtshme të gjetura gjatë punimeve arkeologjike në projektin në fjalë”.
Por “KOTO” prapë nuk ka pasur përgjigje në pyetjet direke se me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre.