Arbëri

Haxhiu për tërheqjen nga Trusti: Nuk ka mbetur rrugë tjetër për t’i mbështetur qytetarët

Bekim Haxhiu, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se nuk ka mbetur rrugë tjetër për t’i mbështetur qytetarët, përveç një tërheqjeje të re të parave nga Trusti.

“Edhe pas krizës ekonomike që e kaploi vendin, nuk kemi pas veprime ashtu siç i kanë ndërmarrë vendet tjera, krahasuar dy vendet tona fqinje edhe Shqipërinë edhe Maqedoninë. Tek Maqedonia kemi pas 26 masa të veprimit të Qeverisë, që ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e çmimit të konsumit ditor, në Kosovë nuk ka pasur asnjë veprim të tillë dhe ka rrjedhë kërkesa e qytetarëve që të riprocedohet plotësim-ndryshimi i ligjit për kursime pensionale, apo siç njihet Trusi pensional. Që të mundësohet, tërheqja e mjeteve nga Trusti, një kërkesë që e pata propozuar në formë në amandamentit në vitin 2020, kur ishte tërheqja e Trustit 10%, ndërsa e pata propozuar një kategorizim prej 10 deri në 30% për kategoritë që janë më të rrezikuara ato që kanë më pak Trust, konsiderohen që kanë më pak të ardhura, të mbështeten më shumë. Kjo është një prej mundësive të fundit, sepse nuk ka mbetur rrugë ose derë tjetër për t’i mbështetur qytetarët dhe që të jepet një mundësi tjetër që fondet e Qeverisë të orientohen te kategoritë më të rrezikuara”, tha Haxhiu në emisionin “Tempus” në KTV.

I njëjti shtoi se nuk është parë ndonjë veprim ose masë konkrete e Qeverisë, lidhur me krizën.

“Programi i rimëkëmbjes është programi që ka qenë për kohën e krizës nga pandemia, ndërsa deri më tani nuk kemi parë ndonjë veprim ose masë konkrete të Qeverisë, sa i përket krizës aktuale, por edhe te kriza energjetike që e kaploi vendin qysh vitin e kaluar por edhe tani kemi parë një ngathtësi në veprim dhe jo masa të duhura për ta parandaluar rritjen e çmimeve”, tha Haxhiu.