Arbëri

Kurti: BE-së s’i pëlqeu që s’pranova vetëm letërshkëmbim mes zyrtarëve për zgjedhjet serbe

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka vendosur që zgjedhjet serbe të mos mbahen në Kosovë, porse nuk kishte marrëveshje paraprake mes dy vendeve.

Ai ka thënë se BE-ja nuk ka qenë e lumtur që Qeveria e Kosovës nuk ka pranoi që gjithçka të përmbyllet me një letër shkëmbimi ndërmjet zyrtarëve.

“Zhvillimet rreth zgjedhjeve te Serbisë nuk e di se sa do ndikojnë në dialog, atëherë kur të na ftojnë në raundin e bisedimeve natyrisht që ne do të jemi të gatshëm të angazhohemi. Nuk do të thosha që Qeveria ka marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë por e vërteta është që nuk ka marrëveshje paraprake. Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur me faktin që unë nuk kam pranuar që gjithçka të përmbyllët përbrenda një lëtërshkembimi të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës. Unë jam i bindur që letërshkëmbimi duhet të jetë mes Qeverie së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë. Kështu siç është, çështja ka marrë një kahje tjetër, ne kemi shprehur keqardhjen tonë për më shumë se kaq nuk çfarë të bëjë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se nuk mund të iu thotë familjarëve të të pagjeturve që të presin kur bëhet marrëveshja ligjërisht e obligueshme me njohje reciproke.

“Ajo është një urgjencë që e ka më të madh ankthin dhe pikëllimin dhe kemi thënë që këtë e trajtojmë më herët. Është përfaqësuesi i qeverisë, udhëheqësi i komisionit që është i përfshirë në këtë çështje e që është aktiv edhe në Kosovë edhe në Bruksel Çështja e helmimit të nxënësve padyshim që është një nga dhimbjet që kemi përjetuar dhe unë besoj që para se t’i trajtojmë këto çështje si thjeshtë dialog me Serbinë do të duhej organet e tona shtetërore, përkatësisht organet e drejtësie që të mos e lënë në harresë këtë çështje të dhimbshme e ende të pa sqaruar”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë thirrje që qytetarët serbë të mos hyjnë në protesta për shkak të moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Unë e pash mbrëmë që është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Serbi dhe sot më erdhi informacioni që po përgatiten protesta për pasnesër. Unë mendoj që nuk janë protestat të nevojshme për këtë çështje. Më lejoni t’i bëjë thirrje serbëve që të mos organizojnë dhe të mos marrin pjesë në protesta të tilla”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se është e rëndësishme që të funksionalizohet zyra ndërlidhëse e BE-së. Derisa për votimin me postë, ai ka thënë se Kosova e ka bërë të ditur se një gjë e tillë është e mundur porse Serbia ka kundërshtuar duke thënë se nuk lejohet se një gjë e tillë.

Ndërkaq për kritikat e opozitës ndaj ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, ai ka thënë se “mos harroni se po kritikohet një ministre që subjekti politik në fjalë nuk e ka lejuar që të hyjë në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm. Unë jo vetëm që nuk jam i njëjtë por jam shumë ndryshe nga ta”.

Kurti ka thënë se nuk mendon që kryetari i komunës së Shtërpcës duhet të shkojë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

Ai ka thënë se organet duhet të bëjnë një hetim edhe për policët që kanë shkuar atje.

“Unë nuk mendoj që për të ndërtuar marrëdhënie të mira dhe fqinjësore këta dy persona Radojçiq dhe Gashiq japin shumë optimizëm dhe shpresë. Respektimi i ligjit, i Kushtetutës nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat dhe drejtësinë, ka të bëjë edhe me sigurinë”, ka thënë ai.