Arbëri

Punëtorët e Gjykatës Themelore në Prishtinë në grevë, kundërshtohet nga SPJK-ja

Shoqata Sindikale e Gjykatës Themelore në Prishtinë është në grevë. Në pamjet e KOHËS shihen punonjësit e instancave të prokurorisë dhe gjykatave që nuk punojnë.

Këto veprime sindikale janë kundërshtuar nga Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës (SPJK), që nëpërmjet një komunikate, deklaroi se janë pro vazhdimit të punës për hartimin e Ligjit për Paga.

"Më datë 28.02.2022 kemi pas takim me ministren e Drejtësisë ku jemi takuar me këshilltarët e ministres ku kemi marrë zotimin bindës se në kohën e afërt do të fillohet me punë në përpilimin e draft-dokumentit për hartimin e Ligjit të veçantë për punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive, dhe gjithashtu morëm premtim se do të angazhohen që në bashkëpunim edhe me grupin punues për Projektligjin për Paga, të merren në konsideratë komentet dhe vërejtjet tona", thuhet në komunikatë të SPJK-së.

Sindikata njofton se janë takuar me KGJK-në dhe KPK-në dhe "fatmirësisht kërkesat e Sindikatës janë të njëjta me udhëheqësin e KGJK-së dhe KPK-së".

SPJK-ja tutje deklaroi se presin që premtimet të realizohen, derisa u paralajmërua aktivizimi i grevës "në çdo moment kur kryesia legjitime e zgjedhur nga Kuvendi zgjedhor i SPJK-së konstaton se premtimet nuk janë përmbushur dhe që janë shteruar të gjitha mundësitë për realizimin e kërkesave të drejta të punëtorëve të gjykatave dhe prokurorive".

"Me këtë rast, theksojmë se greva e thirrur për datë 01.03.2022 nga shoqata sindikale e GJTH-Prishtinë, nuk e ka miratimin dhe mbështetjen e kryesisë së SPJK-së".