Arbëri

LDK-ja: Mosveprimet e Qeverisë e detyrojnë ZRRE-në t’i rrisë çmimet e energjisë

Besian Mustafa i LDK-së ka thënë se mungesa e profesionalizmit, përgjegjësisë dhe vullnetit për punë e Qeverisë do të rëndojë kuletën e qytetarit duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike për 42 për qind.

Ai ka thënë se pavarësisht tentimeve për të manipuluar, çmimet e rrymës do të rriten drastikisht.

Mustafa ka thënë se Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverën e vitit të kaluar për rritjen e çmimeve të energjisë, si dhe hapat që duhet të merren.

Ai ka thënë se mosveprimet e Qeverisë e detyrojnë ZRRE-në t’i rrisë çmimet e energjisë.

“Qeveria zgjodhi populizmin e linçimin në kohë zgjedhjesh lokale për të fituar ndonjë votë. Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar me furnizimin me energji elektrike i ka kushtuar 20 milionë euro të ndara për KOSTT-in, 20 milionë euro për importin e energjisë, dhe 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, thotë ai, shtrenjtimi i energjisë elektrike e dëmton edhe prodhimin vendor.

Sipas tij, prodhuesit do t’u duhet t’i rrisin edhe çmimet për shkak të kostos së lartë të prodhimit.

“Fjalët boshe të Qeverisë për rritje ekonomike po e rëndojnë kanë zero kuptim për prodhuesit vendor që po falimentojnë çdo ditë dhe qytetarët që mezi po arrijnë t’i ushqejnë familjet e tyre. Nuk duket që kjo qeveri ka një zgjidhje afatgjate për zgjidhjen e kësaj krizë”, ka thënë ai.

Image