Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

300 zjarre për tre ditë, AME-ja dyshon për zjarrvënie të qëllimshme

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave dyshon për zjarrvënie të qëllimshme në ditët e fundit. Në një konferencë për media, zyrtarë të saj thanë se vetëm në 3 ditët e fundit janë regjistruar 300 zjarre. Agjencia ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për t’u raportuar zjarrvënësit e nga institucionet ka kërkuar nxjerrjen e tyre para drejtësisë

400 trupa arra i janë djegur një pronari në Leqinë të Skenderajt më 8 mars, derisa edhe sistemi i ujitjes i është dëmtuar, sipas raportit 24 orësh të Policisë.

Zjarr një ditë më parë pati edhe në Dren të Zubin-Potokut, kurse në fshatin Siqevë të Prishtinës janë djegur 10 hektarë mal.

Po ashtu, disa ekipe zjarrfikësish punuan të shtunën e të dielën për shuarjen e zjarrit në Bjeshkët e Deçanit.

Për këtë situatë të krijuar, të hënën, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka mbajtur konferencë.

Drejtori i saj, Genc Metaj, ka thënë se janë regjistruar rreth 300 zjarre për tri ditë, e sipas tij, dyshimet e institucioneve janë për zjarrvënie të qëllimshme.

“Kjo gjendje paraqet rrezik për qytetarët dhe në ditët e fundit është ndjerë kjo gjendje. AME është aktivizuar në shuarjen e zjarreve dhe nga statistikat që kemi marrë është si në vijim: Vetëm në javën e parë 57 raste të zjarrit, ndërsa nga data 7 deri më 10 mars mbi 290 raste të zjarreve kanë qenë. Zjarret më serioze janë në Drenas, Kamenicë dhe Malishevë. Nëse flasim për shkaqet janë kryesisht dora e njeriut dhe ne si AME kemi ngritur gjendjen e gatishmërisë dhe që nga sot do të fillojmë patrullimin në tërë Kosovën”, ka thënë Metaj.

Metaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për t’u raportuar zjarrvënësit.

Edhe Në Kosovë ditëve të fundit 633 zjarre, 23 të arrestuar për zjarrvënie Arbëri Në Kosovë ditëve të fundit 633 zjarre, 23 të arrestuar për zjarrvënie

“Bëjmë apel: të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë, që të bashkëpunojnë me zjarrfikësit që të denoncohen rastet, qoftë edhe në mënyrë anonime në numrat aktivë, 112, 192 e 193 të cilat janë pa pagesë dhe janë 24 orë në shërbim. Inkurajojmë qytetarët të mos hezitojnë të raportojnë rastet dhe personat e involvuar, në mënyrë që të kemi parandalim dhe zvogëlim të rreziqeve. Kjo situatë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike dhe private”, ka shtuar ai.

Sipas Metajt, situata aktuale është jashtë normales në një formë që vë në rrezik operacionalitetin e strukturave të emergjencave, shkaku se vatrat janë të njëkohshme dhe në shumë vende.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka kërkuar nga institucionet që zjarrvënësit të nxirren sa më parë para drejtësisë.