Arbëri

Gërvalla: Kosova s’ka marrë ftesë zyrtare për “Open Ballkan”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Komisionin për Punë të Jashtme ka thënë se janë duke punuar për njohje të reja në gjithë botën, përfshirë edhe me 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Ajo ka thënë se në këto shtete ka progres, në përjashtim të njërit vend.

Ajo tutje ka folur edhe për ‘Open Ballkan’ ku ka thënë se Kosova nuk ka marrë asnjëherë ftesë zyrtare.

Sa i përket çështjes së anëtarësimit në organizata ndërkombëtare ajo ka thënë se kanë një strategji të qartë të formuluar dhe punuar me shumë kujdes për anëtarësim.

“Nëse keni pyetje për kë e kush ju kisha lut që të kalojmë në mbledhjen pa praninë e mediave sepse kam frikën e dëmtimit të proceseve. Kemi një ashpërsim të qartë të gjuhës së Serbisë dhe Rusisë. Si Kosovë kemi qenë shumë të qartë në sensibilizimin e fqinjëve dhe partnerëve në gjuhën e përdorur nga Serbia kohën e fundit. Ka qenë në agjendë lidhja e marrëveshjeve rajonale për qarkullimin me ID kartë, mirëpo bllokadat e Serbisë e kanë pamundësuar një gjë të tillë. Serbia aspak nuk është e gatshme që të lejojë asnjë qytetarë që të kalojë në Serbi me letërnjoftim”, thuhet në njoftim.

Ajo ka thënë se përmes iniciativës Open Ballkan është tentuar të krijohet një paralele jo vetëm për rrugën drejt BE-së por edhe procesit të Berlinit.

“Jemi deklaruar qartë se as nuk kërkojnë alternativa ndaj anëtarësimit në BE-së e as për iniciativat që më shumë janë fjalë goje. Republika e Kosovës nuk ka marrë asnjëherë një përshkrim për çfarë është Open Ballkan e nuk ka marrë as një ftesë zyrtare për të qenë pjesë e saj përveç asaj që është deklaruar”, ka thënë ajo.