Rifat Latifi është emëruar ministër i Shëndetësisë. Vendimin e ka bërë të ditur sot kryeministri Albin Kurti në një konferencë të përbashkët për media.
E në adresimin e parë si ministër, Latifi ka premtuar "shërim" të sistemit shëndetësor. Po ashtu ka thënë se synim do të jetë krijimi i kushteve që mjekët të mos ikin jashtë vendit.
“Faleminderit për nderin e madh që më keni bërë me këtë detyrë të jashtëzakonshme. Do të angazhohem me gjithë qenien për t’i ngritur standardet shëndetësore. Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ne do të investojmë në rritjen e kualitetit të shërbimeve. Shërbimet do të krijojnë të ardhura, me të ardhurat e shërbimeve ne investojmë sërish në kualitet”, tha ministri i ri, Latifi.
Latifi jeton dhe vepron në SHBA. Ai, më 2009 ishte emëruar këshilltar për shëndetësi i kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçi.
Latifi ka potencuar se vendit do t’i ofrojnë shërbimet e ndryshme për të rinjtë, mjekët, infermierët dhe të tjerëve, duke ndikuar në ngritjen profesionale.
“Do të ndërpresim largimin e trurit mjekësor e shkencor nga vendi. Nëse e rregullojmë shtëpinë tonë, do ta bëjmë kthimin e trurit të larguar, që të bëjmë ngritjen e standardeve mjekësore. Të gjithë ata që duan të kthehen mund të vijnë ta ndihmojnë Kosovën”, deklaroi ai.
Latifi tutje tha se do të ndalohet largimi i pacientëve për t’u shëruar jashtë vendit, duke ua mundësuar kushtet që trajtimin ta marrin në Kosovë.
“Me ngritjen e kapaciteteve si pjesë e trupit tonë, do ta ndalojmë largimin e pacientëve nga vendi, këto investime që bëhen në vende të tjera, do t’ kthejmë në investim në shtëpinë tonë. Do të jetë qartë se pastaj pacientët tonë do të jenë në shtëpinë tonë. Ky proces do të zgjatë, por ne do ta kemi strategjinë. Duhet në këtë rrugëtim të adaptohemi për të rejat e mjekësisë dhe t’i njohim ato vet. T’i udhëheqim me hulumtime tona mjekësore e shkencore. Kjo platformë afatgjate, rezultatet nuk do të shihen brenda ditës”, theksoi tutje.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Latifi erdhi pardje nga SHBA-ja në Kosovë.
Kurti ka thënë se ai ka studiuar mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji dhe reanimacion në New York.
“Përvoja e tij akademike dhe profesionale përfshinë qendra spitalore dhe universitete me emër në disa shtete të SHBA-së. Për momentin ai punon si profesor dhe drejtues i departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së New Yorkut. Drejtues i Departamentit të Kirurgjisë, spitalin në fëmijë dhe një spitali regjional. Latifi është i angazhuar edhe në telemedicinen ndërkombëtare. Ka punuar në vazhdimësi për promovimin e shëndetësisë në Kosovë. Për angazhimin e tij është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, është autor dhe bashkautor i mbi 350 punimeve shkencore. Latifi është kryetar dhe themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Kështu, ai merr udhëheqjen e ministrisë së Shëndetësisë pasi u largua Arben Vitia, që garoi për kryetar të Prishtinës, por që nuk fitoi.
Që prej largimit të Vitisë, MSh-ja udhëhiqej nga zv.ministrja Dafina Gexha.
