Arbëri

Hoti merr meritat për rritjen ekonomike që shënoi vendi pas largimit të tij

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka “reaguar” pas publikimit të shifrave nga kryeministri Albin Kurti për rritje ekonomike.

Sipas Kurtit janë rritur eksportet me 60 për qind, aktivitetet 30 për qind dhe të hyrat buxhetore me 34 për qind. E rritja ekonomike sipas Bankës Botërore.

Më herët, Banka Botërore parashikoi se rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2021 do të jetë 7.1, e sipas Bankës Qendrore të Kosovës mund të shkojë edhe më lartë.

E Hoti, që qeverisi me vendin nga qershori i 2020-s deri në mars të 2021-s, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se 3 faktor kanë të bëjnë me këtë rritje, e dy prej tyre sipas tij, janë meritë e qeverisë që udhëhoqi. Si pikë të parë ka përmendur Pakon e rimëkëmbjes ekonomike, përfshirë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit që qytetarët bënë nga trusti i tyre pensional.

“Janë tre faktorë që kanë mundësuar tejkalimin e shpejtë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia covid-19 dhe kthimin e ekonomisë së Kosovës në trajektoren e saj të rritjes ekonomike, e cila trajektore zanafillën e ka në pakot fiskale 1 dhe 2 të viteve 2014-2017.

Të tre këta faktorë lidhen me zhvillimet në vitin 2020: (1) Pakot e rimëkëmbjes ekonomike (përfshirë tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional) që kanë mundësuar të futen në ekonomi rreth 700 milionë euro; (2) Koordinimi i Qeverisë dhe Bankës Qendrore gjatë vitit 2020 për ri-programim të kredive të bizneseve dhe qytetarëve për të shtyrë pagesën e interesit dhe kryegjësë për disa muaj; dhe (3) Dërgesat e diasporës gjatë vitit 2020 që kanë arritur nivele rekorde. Dy faktorët e parë janë rezultat i veprimeve qeveritare dhe institucionale, ndërsa i treti lidhet me natyrën altruiste të diasporës tonë për të ndihmuar të afërmit në Kosovë”, ka shkruar ai.

Ai ka ftuar ekonomistët “të gjurmojnë lidhjen shkak-pasojë, e jo të interpretojnë faktet përciptas duke shtrembëruar të vërtetën me apo pa qëllim”.