Arbëri

Supremja konfirmon dënimin e Arsiqit për krime lufte

Gjykata Supreme ka konfirmuar dënimin prej gjashtë vjetësh burgim për Nenad Arsiqin, për krime lufte në Kosovë.

Arsiq ishte dënuar në dhjetor të vitit të shkuar për dhunën që kishte ushtruar ndaj dy personave që kishin marrë pjesë në aksionin kundër popullsisë shqiptare në maj të 1999-s. Rasti kishte ndodhur në lagjen “Emshir”. Ata i kishin detyruar viktimat të pinin alkool e të këndonin këmbë serbe. Si pasojë e dhunës së ushtruar, Themelorja pati thënë se viktimat J.Sh. dhe S.Sh. vuajnë edhe sot.

Ndërkaq, në një komunikatë për media të mërkurën Supremja ka njoftuar se e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes të ligjshmërisë.

“Gjykata Supreme vëren se gjykatat e instancave më të ulëta, e posaçërisht gjykata e shkallës së parë si gjykatë e faktit në mënyrë të gjithanshme ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm për të gjitha provat e administruara dhe po ashtu edhe përkitazi me mbrojtjen e të dënuarit. Ndaj, siç ka konstatuar gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e saj dhe të cilin konstatim e aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme, ‘skeleti i akuzës bazohet në dëshmitë e të dëmtuarve përkatësisht dëshmitarëve S. dhe J.Sh, andaj me të drejtë, dëshmitë e tyre kanë qenë dëshmi vendimtare në këtë çështje penale’”, thuhet në njoftim. “Tutje në aktgjykim theksohet se dëshmitë e dëshmitarëve vlerësohen në tërësinë e tyre, janë dëshmi të besueshme dhe konsistente, dhe se përfundimet e gjykatave të instancave më të ulëta gjyqësore i aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme”.