1 perditesime
14:56

Gjashtë vjet burgim për serbin që torturoi shqiptarët në Prishtinë

Me gjashtë vjet burgim është dënuar Nenad Arsiq, për krime lufte në Kosovë.

Siç ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë, në dënim, Arsiqit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 22 tetor të vitit 2019.

Sipas njoftimit, Arsiq më 21 maj 1999 në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri tash të paidentifikuar, kishin marrë pjesë në aksionin kundër popullsisë civile shqiptare duke hyrë në një shtëpi në lagjen “Emshir” në Prishtinë duke i rrahur dy persona e duke i fyer dhe duke i poshtëruar. Ata i kishin detyruar viktimat të pinin alkool e të këndonin këmbë serbe.

Si pasojë e dhunës së ushtruar, Themelorja thotë se viktimat J.Sh. dhe S.Sh. vuajnë edhe sot.

08:49

Sot gjykimi ndaj serbit që torturoi shqiptarët, i shtyri të pinë raki dhe të këndojnë këngë serbe

Ndaj të akuzuarit për krime lufte, Nenad Arsiq, sot pritet të jepet aktgjykimi.

Departamenti i Posaçëm i Gjykatës Themelore të Prishtinës, sot do të mbajë seancën dhe pritet të marrë vendim për akuzat që rëndojnë mbi Arsiqin për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, ka njoftuar Radio Kontakt të enjten.

Arsiq, nga Çagllavica, është arrestuar në pikë-kalimin kufitar në Merdar më 22 tetor 2019.

Ai, sipas aktakuzës, më 1999 kishte kryer krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në lagjen Emshir në Prishtinë. Në aktakuzë thuhet se Arsiqi në cilësinë e përbërjes rezervë të policisë serbe ka shkelur rëndë të drejtën humanitare ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke u futur në shtëpinë e një familjeje dhe duke i shtyrë të pinë raki e të këndojnë këngë patriotike serbe.

Në aktakuzë thuhet se Arsiqi i kishte torturuar një kohë të gjatë dy anëtarë të familjes Shala, duke iu shkaktuar lëndime nga të cilat tash vuajnë pasojat.

“Qëndrimi i mbrojtjes është se Prokuroria nuk ka arritur të faktojë akuzën. Shpresoj në profesionalizmin e gjykatësve dhe shpresoj që sot do të jepet një aktgjykim lirues”, ka thënë ndër të tjera avokati i Arsiqit, Dejan Vasiq, përcjell Radio Kontakt.