4 perditesime
23:16

Isufi: Do të fitojmë në të pesë komunat ku jemi në balotazh

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, beson fuqishëm se kjo parti do të fitojë në të pesë komunat ku ka shkuar në balotazh.

Isufi në një intervistë për KTV-në tha se AAK-ja është rritur në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura më 17 tetor.

Në raundin e parë, kandidatët e AAK-së fituan në Deçan dhe në Suharekë, derisa në pesë komuna të tjera ka shkuar në balotazh, si parti e parë apo si e dytë.

“Karakteristikë për këto zgjedhje është se ka pasur ndryshim nga zgjedhjet parlamentare, ka një ndryshim sa i përket partive, ndonjë ka rritur votën, si AAK-ja për 5 për qind. Në 5 komuna jemi në pritje të balotazhit, dy i kemi fituar. Në shtatë komuna pretendojmë të jemi fitues, kurse në të tjerat do të bashkëqeverisim. Kjo se ka stabilitet. Ne në të gjitha do të jemi fitues në balotazh, kemi strukturë mirë të organizuar në krahasim me partitë tjera. Rritja e fuqisë se AAK-së në disa komuna, tregon se është më seriozja në Kosovë nga partitë”, ka thënë Isufi.

21:43

Vetëvendosja në Shtime s’e përjashton bashkëpunimin me LDK-në

Kandidati për kryetar të Komunës së Shtimës, Qemajl Aliu, ka thënë se fitoren e kanë filluar dje dhe do ta përmbyllin në nëntor.

Ai ka thënë se Shtimja ka qenë bastion i PDK-së, por tashmë është i Lëvizjes Vetëvendosje.

Aliu ka thënë se kanë pritur fitore pa balotazh në këtë komunë.

Ai ka lënë hapësirë për bashkëpunim me LDK-në për ndonjë koalicion të mundshëm.

“14 shkurti ka qenë një ndarje e madhe në rikonfigurimin e skenës politike në Kosovë. Keqqeverisja në komunën tonë është 21 vjeçare. Ne kemi një ekip të mirë, program të mirë prandaj ky është rezultat i pritshëm dhe i merituar, ndonëse mendonim që do ta përfundonim pa balotazh”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se presin që më 14 nëntor të fitojnë bindshëm këtë komunë.

“Ne do të bisedojmë me të gjitha subjektet politike në komunën tonë. Do të bisedojmë edhe me LDK-në që është jashtë balotazhit. Do të bisedojmë edhe me qytetarët tanë të cilët kanë vendosur ta shkëpusin besimin prej partisë që ka keqqeverisur përgjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë ai.

LVV-ja në Shtime prin me 45.10 për qind të votave, e cila në balotazh do të jetë me PDK-në që ka marrë 44.64 për qind të votave.

 

21:40

Hyseni: Fitorja në raundin e parë në Gjilan nuk ishte befasi, prisnim më shumë

Kandidati i VV-së për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, thotë se fitorja e tij në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, nuk është befasi. Ai në një intervistë për KTV-në, tha se rezultati është më i ulët se që kishte pritur ai dhe partia e tij.

Në raundin e parë, Hyseni fitoi 44.48 për qind, derisa kryetari aktual dhe kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri doli i dyti me 43.91 për qind.

“Unë kam dëgjuar se flitet për befasi, por nga puna si qendër, nga paraqitjet publike, pjesa e fundit e fushatës, rezultati ka qenë i pritshëm, besa edhe më i ulët se që kemi pritur. Gjilani ka qenë qendër e VV-së, kemi qenë mirë me votë në zgjedhje nacionale, tash jemi rritur edhe në zgjedhje lokale. Nuk është rezultat i keq, por nuk është i prituri. Presim fitore, presim të dalim të parët në balotazh, duhet të mblidhemi si shtab dhe të diskutojmë se si do të qasemi në raundin e dytë. Duhet të presim rezultatet finale, jemi subjekti i vetëm në Gjilan me rritje. Sikurse të kishte edhe një javë fushatë, do të fitonim pa balotazh”, ka thënë Hyseni.

Ai nuk deshi të flasë për koalicionet e mundshme në raundin e dytë.

21:25

Cakolli: Ka pasur rënie drastike të rasteve të fotografimit të votës

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se procesi i djeshëm i votimit është ndër më të mirat që ka organizuar Kosova.

Ai ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve nuk është e niveleve të kënaqshme, por si e atillë garanton legjitimitet të qeverisjeve që dalin nga këto zgjedhje.

Sipas tij, gjatë ditës së djeshme nuk është raportuar ndonjë incident i madh që do ta prishte procesin e zgjedhjeve.

“Për fotografimin e votës, kjo ka arritur të ketë rënie drastike krahasuar me vitet tjera. Numri i rasteve të raportuara ka qenë minimal. Kjo për shkak se është involvuar drejtpërdrejt Prokuroria, por edhe ndalimi i personave. Pastaj edhe fotografimi i votës nuk është patjetër provë se është votuar ajo parti”, ka thënë ai.

Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ka pasur disa raste të incidente të shënuara në disa qendra në Gjakovë.

Sipas saj, te procesi i tregtimit të votës, niveli në Kosovë ka arritur në procedurë që nuk ndodhë më aty për aty, por ndodhë paraprakisht.

21:22

Kusari-Lila beson në përmbysje të rezultatit në Gjakovë

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, beson se katër javë, aq sa janë mes raundit të parë të zgjedhjeve lokale dhe balotazhit, janë të mjaftueshme për të bindur votuesit për përmbysje të rezultatit në këtë komunë.

Në raundin e parë, kandidati i AAK-së dhe kryetari aktual Ardian Gjini iu afrua gati 50-përqindëshit, por nuk ia doli ta kapërcejë atë për të marrë mandatin e dytë. Ai fitoi 46 për qind, kurse Kusari-Lila 37.08 për qind.

Kusari-Lila në në emisionin special të KTV-së për zgjedhjet, tha se mosprania fizike në Gjakovë është keqpërdorur nga kundërshtarët politikë.

“Natyrisht që shkëputja ime fizike është përdorur nga oponentët si harresë për Gjakovën, Unë jam optimiste. Fakti që para një jave ka pas një sondazh që kryetarin e nxjerrtë me 56 a 58 për qind, e mua me 30 p ër qind, na ka mobilizuar. Katër javë janë të mjaftueshme për të bërë një kthesë për të ndërruar rezultatin zgjedhor”, ka thënë Kusari-Lila.