Arbëri

SHBA-ja i jep të drejtë Kosovës për reciprocitet, por pranon se u befasua

Zv.ndihmëssekretari amerikan për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës për zbatim të reciprocitetit me Serbinë, por shtoi se veprimi i fundit për reciprocitet për targa i ka zënë në befasi

Escobar, në një audiokonferencë, pak orë pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat, tha se të dyja vendet i pret rrugë e gjatë në dialog.

“Është e drejtë e qeverisë së Kosovës për të aplikuar reciprocitet. Implementimi aktual na zuri shumicën prej nesh në befasi, por kjo do të ndodhte. Dhe jam i lumtur që ishim në gjendje të ulnim tensionet”, tha Escobar. “Jam i kënaqur me përkushtimin e palëve dhe përkushtimin e Brukselit për gjetjen e zgjidhjes sa i përket situatës në veri. Me partneritetin që kemi me BE-në mund të ndihmojmë në tejkalimin e problemeve të trashëguara në Ballkanin Perëndimor nga vitet 90-ta. Kemi rrugë të gjatë përpara në dialog, do të japim mbështetje ne plotë për Lajçakun dhe ekipin e tij për një zgjidhje konstruktive”.

Sipas tij, roli i KFOR-it nuk është të marrë kompetencat e autoriteteve vendore por që të sigurohet mirëfunksionimi i pikave kufitare. Komunikim të afërt me Prishtinë dhe Beogradin.

Ai dje dhe sot ishte në Bruksel, ku Serbia dhe Kosova negociuan për çështjen e targave.

Foli edhe për militarizimin e Serbisë.

“Ne kemi parë se eskalimi përreth kufirit nuk ndihmon. Jemi në konsulta të afërta me dy palët për të shmangur gjërat e tilla”, shtoi ai.

Sot në Bruksel u arrit marrëveshja, e cila do të hyjë në fuqi plotësisht me 4 tetor, kur pronarët e veturave me targa të Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ndërrojnë targat me të përkohshme, por t’i mbulojnë simbolet shtetërore me një letër ngjitëse.