Shtyrja e afatit për konvertimin e targave ilegale në ato RKS edhe për 10 muaj të tjerë, ka qenë një nga kërkesat që emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ua ka bërë krerëve të shtetit.
Pas qëndrimit në Kosovë, Escobari ka thënë se nuk ka marrë zotim nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, për këtë çështje.
Në një përgjigje për televizionin, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kanë për obligim respektimin e vendimeve që marrin.
“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendësndihmës sekretarit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. U bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës, Qeveria e Kosovës.
Respektimin e kërkesave të SHBA-së, e kanë kërkuar nga opozita. Në të kundërtën, ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka thënë se vendi mund të përballet me pasoja.
“Kur janë koordinuar veprimet tona me Shtëpinë e Bardhë: Ka ndodhur njohja nga Izraeli. E kemi demarkuar praktikisht një pjesë të kufirit me Serbinë. E kemi siguruar mbështetjen për projekte madhore të hekurudhave dhe autostradave. E kemi siguruar mbështetjen nga MCC për gaz dhe energji. E kemi nënshkruar marrëveshjen për insentiva të investimeve dhe qasje në financa në tregje amerikane. E kemi nënshkruar marrëveshjen për teknologji 5G të sigurt. E kemi kornizuar dialogun vetëm për njohje reciproke, pa cenuar integritetin territorial, pa prekur karakterin unitar të shtetit të Kosovës, si dhe duke mos pranuar asgjë pa u nënshkruar marrëveshja për njohje reciproke. Mos e rrezikoni këtë mbështetje, sepse do të mbeteni të izoluar si regjimi i Enver Hoxhës. Sigurisht se populli i Kosovës nuk e lejon që izolimi të vazhdojë. Do të detyroheni të lironi zyrat dhe të dorëzoni mandatin tek ata që e ruajnë dhe avancojnë miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës.
Pas Kosovës, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka qëndruar në Serbi.
Për dallim nga vizita në Kosovë, ku në fokus të takimeve u tha se ishte bashkëpunimi i ndërsjellë, në Serbi procesi i dialogut, ishte tema kyçe.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentit të Serbisë, me Escobarin janë diskutuar zhvillimet e fundit karshi procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
“Presidenti Vuçiq theksoi edhe një herë përkushtimin e plotë të Serbisë për vazhdimin e procesit të dialogut dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel deri më tani dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare. I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar, shprehu pritjen që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për të gjitha çështjet e hapura dhe normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve do të vazhdojë në mënyrë dinamike dhe konstruktive, gjë që është e rëndësishme si për qytetarët ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon, me një përfundim të shpejtë të negociatave”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit të Serbisë.
Përveç me Vuçiqin, Escobari është takuar edhe me shefin e delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq e kryeministren Ana Bernabiq.
Emisarit amerikan, Petkoviqi i është lavdëruar për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, e ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të tjera të arritura në Bruksel.
“Petkoviqi ka theksuar se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e negociatave, por edhe insiston në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, mbi të gjitha marrëveshjes për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Gjatë bisedës u diskutua për çështjet e targave dhe energjetikës dhe me atë rast drejtori i Zyrës për Kosovë theksoi se pala serbe i ka përmbushur të gjitha hapat e Udhërrëfyesit për Energjinë si dhe zotimet nga marrëveshjet e tjera. arritur në dialogun e Brukselit”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Një kërkesë për shtyrjen e hyrjes në fuqi të vendimit për targat, SHBA-ja e bëri edhe në fund të muajit korrik, pasi serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës. Kërkesa u mor parasysh nga Qeveria e Kosovës, me kushtin që të largohen barrikadat.
Afati prej dy muajsh për targat ilegale filloi të rrjedhë në fillim të muajit shtator, dhe përfundon më 31 tetor. Me gjithë lehtësirat, që nga shtatori deri më tash vetëm 13 automjete janë regjistruar me targat legale nga ato të lëshuara prej autoriteteve serbe.