I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për televizionin “N1”, ka thënë se mendon se është në horizont fillimi i përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Duhet të them se takimi mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti ishte vërtet i mirë, shumë profesional dhe i qetë. Ishte inkurajuese të shihje atë nivel të hapjes në praninë e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe z. Miroslav Lajçak”, tha Escobar.
Escobar ka thënë se kanë inkurajuar palën kosovare që të jetë më konstruktive dhe fleksibile dhe se sheh vullnet për këtë. Ai ka porositur se asnjëri nuk duhet të pësojë shkaku i targave dhe se të dyja palët duhet të fokusohen në zgjidhjen evropiane.
“Mendoj se duhet të harrojmë narrativen se ‘Kosova është Serbi’ e të kalojmë në atë që Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Evropë”, ka thënë Escobar.
Escobar ka thënë se ka ardhur në vizitë në Kosovë e Serbi me mesazhin se në bashkësinë ndërkombëtare ka shqetësim të madh për përshkallëzim të mundshëm të dhunës pas masave të reciprocitetit për targa e letërnjoftime që ka marrë Qeveria e Kosovës.
“Gjatë vizitës në Prishtinë, Mitrovicë e Beograd kam krijuar përshtypjen se të gjitha palët janë të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje paqësore për këtë krizë. Dhe ky është mesazhi që do t’i dërgoj Washingtonit: besoj se të dyja palët do të gjejnë një zgjidhje kompromisi, e cila do t’ia mundësojë popullit në Kosovë të jetojë në paqe”, tha Escobar.
I pyetur nëse ka paraqitur një propozim për zgjidhjen e çështjes së letërnjoftimeve dhe targave, ai tha se SHBA-ja nuk është pjesë e procesit të dialogut që po zhvillohet nën patronazhin e BE-së.
“Procesi udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe ne e mbështesim atë proces, kështu që të gjitha propozimet dhe rekomandimet vijnë nga BE-ja”, ka thënë emisari amerikan.
Kur u pyet nëse mori pjesë në bisedimet në Bruksel, ai tha se nuk ishte pjesë e negociatave, por ishte aty për të ofruar mbështetje.
“Roli im ishte të inkurajoja të dyja palët që të jenë konstruktive e fleksibile, të dërgoja një mesazh se SHBA-ja e mbështet plotësisht këtë proces dhe se është një proces me rëndësi të madhe për komunitetin euroatlantik dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, pos kësaj dua të tregoj se ky proces është shumë i rëndësishëm edhe për SHBA-në, si dhe ne jemi të përfshirë në të dhe do të insistojmë në zbatimin e zgjidhjeve që dalin nga ky proces. Ne gjithashtu do të kërkojmë mënyra për të krijuar mundësi që ofrojnë mbështetje politike e ekonomike e që çojnë në rritjen e kapaciteteve që na mundëson të bëjmë çdo gjë që mundemi për t’i bërë këto zgjidhje funksionale për të dyja palët”, tha Escobar.
I pyetur për deklaratat e ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, që tha se pala kosovare nuk ishte e përgatitur mirë, Escobar nuk ka dashur të komentojë shumë.
“Negociatat aktualisht janë në një fazë shumë të ndjeshme. Pra, nuk dua të fajësoj askënd, sepse, të jem i sinqertë, gjithçka filloi në Bruksel dhe mendoj se kemi bërë një rrugë të gjatë që nga atëherë. Përderisa kemi një zgjidhje paqësore, të zbatueshme dhe të realizueshme, e cila nuk e ndërlikon jetën e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre në veri të Kosovës, nuk mendoj se do të kemi problem. Unë jam optimist, besoj se do t’ia dalim”.
Escobar ka folur edhe për inkurajimin që i ka bërë Kosovës që të jetë më fleksibile e konstruktive.
“Ne jemi partner i rëndësishëm dhe ata janë partnerët tanë, kështu që ne kemi vërtet dialog të hapur me Kosovën. Ne i inkurajuam të jenë më fleksibilë dhe konstruktivë. Pashë që kishte vullnet të mirë. Ata kanë shqetësimet e tyre, kështu që ne i morëm parasysh këto. Ne do të vazhdojmë të mbështetemi në partneritetin tonë me Kosovën, por edhe në vullnetin e mirë dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë. Dua të theksoj qartë: prej sot ka hapësirë për optimizëm”, tha Escobar.
Sa u përket raportimeve për gatishmërinë e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të përfshihet në procesin e dialogut, Escobar ka thënë se Blinkeni nuk e ka thënë këtë.
“Ai nuk ka thënë se do t’i bashkohet procesit të negociatave, porse është i gatshëm të bëjë disa thirrje, të mbështesë procesin e negociatave dhe të çojë në bashkëpunim më të ngushtë mes palëve negociuese. Dua të theksoj gjithashtu se gjërat për të cilat po flasim – targat dhe dokumentet personale – janë në fakt një çështje e vogël brenda platformës së përgjithshme të negociatave. Ka të ngjarë që angazhimi i Amerikës të jetë i domosdoshëm, jo në negociata, por pas dialogut, për të forcuar rrugën drejt suksesit, për të arritur paqen përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për të hapur një perspektivë evropiane për të dyja vendet”, tha emisari amerikan.
Escobar për Asociacionin: Ne nuk vendosim afate
Gabriel Escobar më herët ka thënë se duhet të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe pasi është obligim që Kosova e ka marrë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
I pyetur nëse ka marrë ndonjë garanci për afatet për këtë, Escobari ka thënë se nuk vendosin afate.
“Kërkesa e vetme, nëse mund të quhet ashtu, është se ajo duhet të jetë në agjendën e radhës. Pra, do të duhej të flisnim për atë Asociacion dhe se si do ta zbatonim atë. Ky është një obligim ekzistues, është nënshkruar në marrëveshje, dhe ajo marrëveshje ka kaluar nëpër procese të ndryshme në Qeverinë e Kosovës dhe është konfirmuar. Në takimin e sekretarit të Shtetit mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, z. Blinken tha se kjo duhet të implementohet, për të cilën jemi pajtuar”.
Sa u përket përshkallëzimeve të mundshme në veri të Kosovës, ai ka thënë të mos ketë më.
“Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se askush nuk duhet të vdesë ose të lëndohet për shkak të targave. Por, pavarësisht se çfarë shpresojmë, ne jemi duke punuar në të njëjtën kohë për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe në pjesën tjetër të rajonit. KFOR-i është prezent, EULEX-i po ashtu, ne kemi bashkëpunim të ngushtë me të dyja qeveritë dhe po mundohemi t’i zgjidhim të gjitha çështjet e kontestuara, para se të krijohet një situatë që mund të përshkallëzojë në konflikt. Shpresoj që kjo të mos ndodhë”, tha Escobar.
I pyetur për praninë e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në veri, Escobar ka thënë: “Forcat policore duhet të jenë të pranishme dhe të kujdesen për qetësinë e sigurinë e qytetarëve. Ne i inkurajojmë që të gjejnë mënyra dhe të ndërtojnë besimin e nevojshëm mes policëve dhe njerëzve. Jo vetëm në veri, por në mbarë Kosovën. Në të njëjtën kohë, këtë këshillë nuk ia kemi dhënë vetëm Qeverisë së Kosovës, por gjithë qeverive të rajonit”.
Escobar: Shekulli i mundësisë për rajonin
Escobar ka thënë se në takimin në Bruksel më 18 gusht është arritur një pajtim që liderët të angazhohen për takime çdo muaj.
Ai thotë se e sheh si fillim të përmirësimit të marrëdhënieve mes palëve.
Ndërsa kur është pyetur nëse ka folur me presidentin serb Aleksandar Vuçiq se pse nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, që është nën sanksione të SHBA-së, luan rol të rëndësishme në takimet e palës serbe, Escobar është përgjigjur: “Së pari nuk takohem me askënd që është nën sanksionet tona, kështu që nuk kishte asnjë person të sanksionuar në takim. Kjo pjesë është e qartë për të gjithë. Njerëzit me të cilët u takova ishin shumë konstruktivë, të përkushtuar ndaj idesë për të mbajtur situatën e qetë dhe të qëndrueshme”.
Escobari ka thënë se ky shekull është i mundësive për rajonin dhe se duhet patjetër që Kosova e Serbia të lidhen.
“Duhet të harrojmë narrativën se Kosova është Serbi dhe të kalojmë në atë që Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Evropë. Kështu që ju keni një të ardhme së bashku. Jemi në një shekull në të cilin Ballkani Perëndimor do të bëhet gjenerator i rritjes për të gjithë kontinentin evropian. Një shekull në të cilin do të bëhen qendra prodhimi të energjisë, energjisë së ripërtërishme, zhvillim i sektorit të IT-së, transportit dhe shumë sektorëve tjerë ekonomikë. Pra, realiteti është se të gjithë do të lidhen përfundimisht përmes disa marrëveshjeve rajonale ekonomike, si CEFTA, Tregu i Përbashkët Rajonal ose Shengeni i vogël, dhe përfundimisht në Bashkim Evropian. Në fund, sigurisht se do të keni marrëdhënie të mira me Kosovën, do të lidheni me Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e Bosnjë-Hercegovinën. Prandaj, sa më shpejt të zgjidhim çështjet kontestuese, aq më shpejt do t’i kemi këto shanse të së ardhmes”, tha Escobari.