Arbëri

Vulin për “botën serbe”: Bashkimi ka nisur dhe kjo më nuk mund të ndalet

Descriptive Text

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, i njohur për gjuhen fyese e urrejtëse ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë në Ballkan, ka nisur të promovojë atë që e ka quajtur projekt të ri me emrin “bota serbe”.

Ai në profilin e tij zyrtar në Facebook ka nxjerr një fanellë të bardhë ku flitet për “botën serbe”.

“Bota serbe: Bashkimi ka nisur dhe kjo nuk do të ndalet më” është mbishkrimi në fanellën që po promovon ministri serb.

Ai në një postim tjetër, ka ftuar serbët që të dërgojnë fotografi me këtë fanellë për ta promovuar më pas më shumë këtë projekt te serbët. Fanellat, sipas njoftimit, bëhen në adresën e tij.

“Bota serbe” e promovuar nga Vulini dhe e përkrahur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është parë si vazhdimësi e projektit për Serbinë e madhe. Ka hasur në kritika, sidomos në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Vulin në shpjegimin e tij ka thënë se “është detyrë e kësaj gjenerate të serbëve ta krijojnë botën serbe”.

“Nëse nuk e bëjmë këtë, druaj se gjeneratë të ardhshme të serbëve nuk do të ketë”, ka thënë ai më parë.

Vulin nuk ka shpjeguar se si mendon ta bëjë “botën serbe”, por ka thënë se “askush nuk duhet të ketë aspirata për 13 për qind të territorit të Serbisë që quhet Kosovë”.

Ai projektin e promovojë pas ngjarjeve që ndodhën në Mal të Zi lidhur me Kishën Ortodokse Serbe në këtë vend. Sipas tij, kjo tregoi se mbijetesa e serbëve është e rrezikuar.

Vulin ditë më parë, tha se Policia serbe, me të cilën udhëheq ai, është e gatshme për “të mbrojtur serbët në Kosovë” në momentin që thotë Vuçiqi.

Serbët ka tetë ditë që kanë bllokuar rrugët në veri që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Serbët janë të pakënaqur me masën e reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për targat e veturave nga Serbia që hyjnë në Kosovë.

Image

Fanellat me mbishkrimin "Bota serbe: Bashkimi ka nisur dhe kjo nuk do të ndalet më” që po promovon ministri serb, Aleksandar Vulin. Foto nga llogaria e Vulinit në Facebook