4 perditesime
13:17

Krasniqi pas takimit me Ramën: Kërkova nga Shqipëria të luajë rol ndihmës si vend i NATO-s

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama se ka kërkuar nga Shqipëria të luajë rol ndihmës si vend anëtar i NATO-s pas situatës së krijuar në veri.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i urova mandatin e tretë me radhë si udhëheqës i Qeverisë së Shqipërisë. Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, e konsiderojmë të drejtë dhe legjitim. Por, shpreha shqetësim për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën, me ç’rast kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

I pari i PDK-së tutje e vlerësoi jashtëzakonisht shumë thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve, ndërsa mirëpriti mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, që sipas Krasniqit, ishte forma e iniciuar kur ishte PDK-ja në pushtet.

“PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, për çfarë u pajtuam për nevojën e forcimit të mëtejmë të lidhjes dhe koordinimit aq të nevojshëm në mes nesh. Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët”, shkroi ndër të tjera ai.

12:51

Abdixhiku falënderon Ramën për përkrahjen që po i jep Kosovës në proceset e rëndësishme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar kryeministrin shqiptar Edi Rama për përkrahjen që po i jep Kosovës në proceset e rëndësishme, pas një takimi të zhvilluar në selinë e LDK-së.

Ai tutje tregoi se ka marrë ftesë nga Rama për një vizitë në Shqipëri, të cilën thotë se do ta realizojë shumë shpejt.

“Sot, me bashkëpunëtorë, në selinë e LDK-së, prita në takim kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Diskutuam mbi relacionet e dy vendeve; situatën e krijuar në veri; si dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euro-atlantike. Kryeministrin Rama e falënderova për përkrahjen që po i jep Kosovës në proceset e rëndësishme. Po ashtu, nga ai, mora ftesë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, të cilën do ta realizojë së shpejti. Raportet ndërshqiptare, janë bazamenti i suksesit tonë. Për këtë, unë dhe LDK jemi të përkushtuar pa hezitim”, shkroi Abdixhiku.

12:26

Pacolli e Limaj takohen ndaras me kryeministrin Edi Rama, Haradinaj e pret në zyrën qendrore të AAK-së

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka zhvilluar takime të ndara me kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli dhe atë të Nismës, Fatmir Limaj, raporton EO.

Mediet nuk janë lejuar të marrin pamje nga takimet.

Rama është takuar fillimisht me kreun e Qeverisë, Albin Kurti, kreun e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.


Valbona Bytyqi

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e priti në zyrën qendrore të kësaj partie kryeministrin Edi Rama.

Haradinaj ka deklaruar se nuk kanë pasur rastin të flasin për çështjen e “Ballkanit të Hapur”, si iniciativë, që sipas Haradinajt, e mbështetë vetëm pasi ta njohë Serbia Kosovën. Të dy kanë biseduar për situatën në veri dhe kanë potencuar rëndësinë që ka lidhja hekurudhore.

Image
11:46

Rama takohet me Abdixhikun

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe anëtarët e Kryesisë së kësaj partie.

Këto takime njëditore Rama po i zhvillon pasi u kthye nga SHBA-ja. Sot ka takuar kryeministrin Albin Kurti, me të cilin kanë diskutuar për raportet Kosovë-Shqipëri, dhe implementimin e marrëveshjeve të realizuara dy qeveritë më parë.

11:22

Nis takimi Rama-Krasniqi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur takimin me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Takimi ka nisur pas konferencës së mbajtur me homologun e tij, kryeministrin Albin Kurti.

Rama gjatë së hënës pritet të takohet me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj dhe kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli.