Arbëri

Vdiq ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka vdekur sot në moshën 73-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur i biri i tij, gastroenterologu Visar Berisha.

“Sot herët në mëngjes na la Kolë shoqi! Pas një sëmundje të rëndë e kahmotshme, i mësuem mos m’u dorëzu, sot baba pranoj burrnit me iu dorëzu Hyjit në jetën e pasosun. Ma shumë se dhimtë, kam një ndjenjë çlirimi për trupin e tij, që ka vuajtur kaq shumë në heshtje e përvujtshëm. Për shkak të situatës së rëndë epidemiologjike dhe masave që prej sot janë në fuqi, nuk do të mund të organizojmë të pame për babën. Nesër, më 30.08.2021 në orën 11:00, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë do të celebrohet Mesha e Dritës për babën, kurse në orën 13:00 do të jetë varrimi me rrethin e ngushtë familjar në varrezat e qytetit në Prishtinë. E di, që shumë prej jush doni me qqenë afër pjesë e dhimtës sonë, por shëndeti i juaj dhe të gjithë tjerëve ka më shumë rëndësi. Kujtojeni babën e ne në lutje, prej aty ku jeni. Ngushëllimet i pranojmë nëpërmjet telefonit”, ka shkruar Visar Berisha në Facebook.

Kush ishte Kolë Berisha?

I lindur më 26 tetor të vitit 1947 në fshatin Dobërdol të Klinës, ai shkollën fillore e kreu në fshatin Ujmir. Pas kryerjes së shkollës normale në Gjakovë, ai punoi dy vjet në Ujmirë dhe Gllarevë të Klinës kurse nga 8 marsi i vitit 1973 punoi si sekretar i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Ai përfundoi edhe juridikun në Prishtinë.

Më 28 mars të vitit 1989, Berisha u arrestua dhe u dërgua në burgjet serbe në Leskovc, në Beograd e më pas në Pejë. Pas tre muajve u lirua, por u përjashtua nga puna.

Me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berisha u anëtarësua në të dhe për dy mandate me radhë ishte anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Klinë dhe kryetar i Komisionit për Pajtimin e Familjeve të Hasmëruara.

Nga 15 marsi i vitit 1998 ai u bë nënkryetar i LDK-së. Pas luftës shërbeu si anëtar i Këshillit Transitor të Kosovës dhe anëtar i Forumit Politik të Kosovës të formuar nga Përfaqësuesi Special për Kosovë i Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen-Petersen.
Ai ishte edhe anëtar i Grupit Politik Strategjik për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

Kolë Berisha ka qenë kryeparlamentar nga marsi i vitit 2006 deri në vitin 2007. E kishte zëvendësuar Nexhat Dacin si kryeparlamentar.

Kolë Berisha ka shkruar proza e poezi.

Botimet KOHA vjet ka botuar veprën e tij “Ditari i një izolanti”.