Arbëri

Paqartësi rreth arritjes së emigrantëve afganë në Kosovë

Descriptive Text

Me shumë paqartësi po shoqërohet procesi i ardhjes së emigrantëve nga Afganistani në Kosovë. Qeveria e Kosovës, sipas burimeve brenda saj, ka pritur ardhjen e grupit të parë të emigrantëve afganë të shtunën mbrëma në Aeroportin e Prishtinës, por më vonë gjatë ditës jozyrtarisht nga Presidenca është thënë se ardhja e tyre, siç është pritur, nuk është e sigurt.

Zyrtarisht, askush në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje. E në Aeroportin e Prishtinës, ku janë bërë përgatitjet për aterimin e aeroplanit, jozyrtarisht i kanë thënë KOHËS që çdo gjë është anuluar.

Ndërkaq pasditen e së shtunës, Zëri i Amerikës ka raportuar se grupi i parë i afganëve që do të strehohen në Kosovë pritet të mbërrijë të dielën. Sipas këtij raportimi, bëhet fjalë për pak më shumë se 100 persona.

Gjatë ditës, burime të afërta me Qeverinë kanë thënë se të gjitha organizimet janë bërë për t’i pritur e sistemuar ata dhe se numri ende nuk dihet.

Sipas deklarimeve të mëhershme, në total Kosova pret rreth 2.000 shtetas afganë e ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati thënë që qëndrimi i tyre nuk do të jetë i gjatë dhe se do t’u ofrohet mbrojtje në kohëzgjatje prej një viti.

Derisa evakuimet nga aeroporti i Kabulit po vazhdojnë para përfundimit të afatit të 31 gushtit, avionët kanë ateruar në plot vende, e shumë prej tyre veçse kanë përfunduar këtë proces. Në Shqipëri kanë ateruar tre avionë prej së premtes, me mbi 250 emigrantë.