Arbëri

Prokuroria: I dyshuari kishte disa raste, përfshirë edhe një për një vrasje

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, ishte i njohur për prokurorinë e policinë.

Ai ka thënë se ai ka pasur një numër të madh të rasteve dhe ka qenë i dyshuar edhe për vrasje, por se rastet janë mbyllur. Sa i përket për të dyshuarin tjetër A.S. që është arrestuar, ka treguar se ai ka një aktakuzë për tentim vrasje, por se ende nuk është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. 

“I dyshuari ishte person i njohur me një numër të madh të rasteve, por të gjitha rastet janë të mbyllura. Ka qenë i dyshuar, i akuzuar për vrasje dhe raste të tjera të natyrave të ndryshme penale. Sa i përket personit të dytë është e vërtetë se është ngritur aktakuzë ndaj tij në vitin 2013 për tentim vrasje ende nuk është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. Është caktuar 23 shtatori data për këtë”, ka thënë Jashari.

Dardan Krivaqa 29-vjeçar po kërkohet nga Policia si i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares M.O.

Viktima me të dyshuarin është bërë e ditur se ishin duke bashkëjetuar.

“Në momentin kur Policia ka dërguar foto së bashku me hetimin rajonal, kemi dyshuar në një person që është i njohur, por s’kemi guxuar të flasim derisa e kemi vërtetuar për sa i përket veturës, personi me inicialet A.S. jeton në Zvicër. Tabelat kanë qenë të padeshifrueshme, nuk ishin të sakta. Janë identifikuar shpejt personat. Nuk kemi pasur të paraqitur ndonjë rast që ai ka qenë duke bashkëjetuar me forcë me viktimën”, ka thënë Prokuroria. “Rasti ka ndodh në dhomë, në banesë. Personat e dyshimtë e kanë marrë e kanë dërguar në spital. E kanë dërguar në spital, e prokurori ka shkuar në vendngjarje. Është dorëzu në emergjencë në spital dhe menjëherë janë larguar nga aty". 

Jashari ka thënë se nuk kanë informacione se Dardan Krivaqa është larguar nga Kosova. 

“Me rëndësi është se personat janë identifikuar e zbuluar. Njëri është arrestu dhe shumë shpejt është bërë kërkesa për caktim të masës së paraburgimit. E personit tjetër me incialet D.K. shumë shpejt do të arrestohet nga ana e Policisë. Deri më tani nuk kemi informacioni se i njëjti ka kaluar jashtë Kosovës".