1 perditesime
Kronikë e zezë

Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj, Prokuroria thotë se ajo u keqtrajtua për motive të ulëta

Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj, Prokuroria thotë se ajo u keqtrajtua për motive të ulëta
Foto: Ilustrim
09:42

Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj, Prokuroria thotë se ajo u keqtrajtua për motive të ulëta

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj, me vendim të prokurorit, është ndaluar një person i dyshuar, me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit, se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

"Ndërsa, i dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”", thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së të gjitha rrethanave të ngjarjes.

08:26

Arrestohet njëri nga të dyshuarit që dërguan vajzën e pajetë në spitalin e Ferizajt

Policia e Kosovës ka arrestuar një person dhe është në kërkim të personit të dytë, nën dyshimin se kanë kryer vrasjen e një 18-vjeçareje në Ferizaj.

Në një komunikatë për media thuhet se policia ka nisur hetimet lidhur me rastin që ndodhi të dielën rreth orës 15:08, ku një person i gjinisë femër, ishte sjellë pa shenja jete nga dy persona të dyshuar, në Qendrën Emergjente në Ferizaj, të cilët pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur.

Hetuesit rajonalë, pasi kanë grumbulluar informacione në terren, kanë siguruar prova materiale, përmes kamerave të sigurisë dhe deklarata, ku kanë gjetur edhe vendin e krimit, që është kryer në një objekt banesorë të një rruge në Ferizaj, si dhe kanë identifikuar dy të dyshuarit.

Pas kësaj, policia kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin me inicialet A.S (32), i cili pasi është intervistuar nga policia, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa në kërkim policor është i dyshuari tjetër D.K. i moshës 29-vjeçar.

Ndërkaq, trupi i pajetë dyshohet të jetë i personit me inicialet M.O. (18), e cila është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.

Rasti është cilësuar vrasje e rëndë dhe mbetet për procedurë të mëtejmë hetimore.