Arbëri

Qeveria merr vendim për strehimin e refugjatëve afganë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për votimin e ofrimit të mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme nga institucionet e Kosovës për qytetarët afganë që kanë qenë bashkëpunëtorë të qeverisë amerikane.

Sveçla ka shkruar në Facebook se ky vendim është nisur për t'u ofruar ndihmë personave që gjenden në rrezik dhe u janë shkelur të drejtat themelore për arsye të luftës dhe konfliktit në Afganistan.

“Pamjet që po shohim sot, jo shumë kohë më parë ishin pamjet që i kemi jetuar vetë dhe mbrojtja që kemi propozuar të ofrojmë sot, është prezantuar dhe zbatuar si koncept pikërisht për eksodin e refugjatëve kosovarë në vitet e 90’ për t’i dalë në ndihmë Kosovës, e cila sot ka vullnetin ta kthejë këtë të mirë. Ky vendim, i hap rrugë kësaj kategorie për një vend ku do të qëndrojnë përkohësisht, të sigurt, të gëzojnë të gjitha të drejtat themelore sipas legjislacionit tonë si dhe përkrahjen institucionale deri në krijimin e një zgjidhjeje afatgjate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar në Facebook.

Vendimin për dhënien e ndihmës së përkohshme dhe të menjëhershme të refugjatëve afganë, e ka konfirmuar edhe Zyra e kryeministrit përmes një komunikate, duke thënë se Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhje korresponduese, në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visas (Vizave të Veçanta Imigruese) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre. Këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës, në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare, sipas vlerësimit të institucioneve relevante në Republikën e Kosovës. Personat nën mbrojtje sipas vendimit të Qeverisë, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara sipas Ligjit për Azil”, thuhet në komunikatë.