Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, e ka cilësuar si fitore përsëritjen e konkursit për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, pasi nuk u votua të hënën në Kuvend.
Deliu-Kodra shkroi në Facebook se nga fillimi PDK-ja ka shprehur rezervë ndaj një procesi te mbyllur, pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe pa media.
“Rihapja e konkursit dhe rikthimi në pikën zero i konkursit për Komisionin e Pavarur të Medias inkurajon të gjithë për një proces fer e demokratik”, shkroi ajo.
Deputetët e pozitës që ishin të pranishëm në sallë shumica e tyre e kanë prishur fletëvotimin duke e bërë atë të pavlefshëm në votimin për zgjedhjen e tre anëtarëve të KPM-së.
Nga 63 deputetë sa votuan, 56 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.
Në bazë të kësaj, asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk ka marrë votat e mjaftueshme dhe duhet të përsëritet konkursi.
Kujtojmë se për këtë proces ka pasur reagime të shoqërisë civile, pasi ka thënë se nuk është ftuar për monitorim të procesit dhe ka akuzuar Komisionin se po i mban top sekret kandidatët.