9 perditesime
15:55

Kuvendi miraton themelimin e institucionit të Operës

Më 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka marrë vendim për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik.

13:39

Dështon zgjedhja e tre anëtarëve të KPM-së

Deputetët e pushtetit që ishin të pranishëm në sallë shumica e tyre e kanë prishur fletëvotimin duke e bërë atë të pavlefshëm në votimin për zgjedhjen e tre anëtarëve të  KPM-së.

Nga 63 deputetë sa votuan, 56 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.

Në bazë të kësaj, asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk ka marrë votat e mjaftueshme dhe duhet të përsëritet konkursi.

Kujtojmë se për këtë proces ka pasur reagime të shoqërisë civile, pasi ka thënë se nuk është ftuar për monitorim të procesit dhe ka akuzuar Komisionin se po i mban top sekret kandidatët.

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për të votuar propozimin e themelimit të institucionit të Operës së Kosovës.

Edhe pse në sallë ishin 63 deputetë në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e Listës Serbe.

Pas kësaj Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 15:30 ku pritet të hidhet edhe njëherë në votim ky propozim-vendim dhe të vazhdohet më pas me debatin për 100-ditëshin e Qeverisë, të ftuar nga Grupi parlamentar i PDK-së.

 

 

13:06

Zgjidhet kryesuesi dhe anëtarët e Bordit të ZRRE-së

Ymer Fejzullahu është zgjedhur kryesues i Bordit të ZRRE-së, me 64 vota, për një mandat pesëvjeçar. Kuvendi gjithashtu zgjodhi Gani Buqaj dhe Lutfi Dervishin anëtarë të Bordit, me mandat pesëvjeçar.

67 deputetë kanë marrë pjesë në votim.

Ymer Fejzullahu ka qenë drejtor i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRRE.

12:32

Rizvanolli mohon akuzat për parregullsi në zgjedhjen e emrave për kryesues të ZRRE-së

Sanie Jusufi

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka mohuar se ka pasur parregullsi në zgjedhjen e emrave për kryesues të Bordit të ZRRE-së.

Në seancën në Kuvend ajo ka thënë se procesi nuk është monitoruar nga Ambasada e Britanisë në Kosovë, mirëpo ka shtuar se monitorimi është bërë nga organizata BIRN.

Në Kuvend po votohet për kryesuesin dhe dy anëtarë të bordit të ZRRE-së.

Për kryesues janë propozuar Vehbi Sofiu dhe Ymer Fejzullahu.

Sipas saj, Qeveria ka anuluar procesin e kaluar pasi nuk kanë arritur të votohen shkaku i shpërndarjes së Kuvendit.

Ka thënë se ka pasur proces me integritet të plotë. Mbikëqyrje sipas saj ka pasur edhe nga një përfaqësues i Sekretariatit për Energji.

"Qeveria i ka dërguar sipas ligjit nga 2 kandidat për pozitë dhe iu është dhënë përparësi grave dhe atyre që nuk kanë qenë në parti politike", ka theksuar ajo.

Po zhvillohet procesi i votimit për kryesues dhe për anëtarë të Bordit të ZRRE-së.

12:11

Deputetët e LDK-së, AAK-së dhe PDK-së lëshojnë sallën e Kuvendit

Deputetët e LDK-së dhe AAK-së kanë lëshuar sallën pas lëvizjes së rendit të ditës dhe vendosjes e pikave për Bordin e ZRRE dhe KPM-së para debatit parlamentar për 100-ditëshin. Në sallë nga AAK-ja ka qëndruar vetëm deputetja Albena Reshitaj.

Me 59 vota pro dhe 29 kundër kaloi mocioni i nisur nga deputetët e pozitës, që pika e zgjedhjes së kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të jetë pika e tretë, derisa e katërt u caktua pika për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

Pas votimit, sallën e kanë lëshuar edhe deputetët e PDK-së, duke qenë të pakënaqur me procesin e zgjedhjes së kryesuesit dhe anëtarëve të ZRRE-së.

Kandidatët për kryesuesin e ZRRE-së: Ymer Fejzullahu dhe Vehbi Sofiu, ndërsa për anëtarë të bordit: Astrit Saraqini, Gani Buqaj, Arjeta Pajaziti dhe Lutfie Dervishi.

Në anën tjetër është votuar edhe mocioni për futjen në rend të ditës shqyrtimi i raportit për gjendjen e ujërave.

11:51

Vitia: Kemi pasur sfida në procesin e vaksinimit

Deputeti i Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta, ka thënë se nga fundi i javës se kaluar ka pasur një rritje të numrit të vaksinimit.

"Kemi edhe raportime të tilla që ka ngecje në disa qendra të vaksinimit në disa Komuna. Pyetja është se si Ministri a keni evidentuar arsyet pse ka ngecje dhe në cilën komunë ka ngecje", ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë.

Për këtë ministri Vitia ka thënë se ka qenë sfidë përgatitja e ekipeve dhe qendrave dhe se jo secila qendër ia ka dalë që të funksionoi në mënyrë të përkryer.

Ka thënë se në disa komuna është dashur që të punohet më shumë që t’u shpjegohet edhe qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit.

Sipas tij, synojnë që deri në fund të vitit të arrihet vaksinimi i 60 për qind i popullatës.

Gjilani, Ferizaj, Malisheva dhe Novobërda kanë pasur ngecje në vaksinim.


Vitia për testet nga Serbia: Do të asgjësohen së shpejti

I pyetur nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu për 1000 testet për COVID-19 të pranuara nga Serbia, Vitia deklaroi se ato nuk janë përdorur dhe shumë shpejt do të asgjësohen.

“Ato do të trajtohen si të gjitha barnat pa afat. Do të asgjësohen në momentin e parë”, ka thënë ai.


Vitia: 17 mijë termine janë caktuar për vaksinim për sot

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia edhe sot ka kërkuar që sa më shumë të vaksinohen qytetarët e Kosovës, ndonëse sipas tij interesimi për vaksinim anti-COVID është rritur dhe se vetëm sot janë 17 mijë termine për vaksinim.

Ai shprehet se synim i tyre mbetet imunizimi i 60 për qind të popullatës deri në fund të vitit.

“Edhe fushata e vaksinimit po e bënë të vetën sepse vetëm gjatë ditës së sotme kemi 17 mijë termine të caktuara nga qytetarët për vaksinim që është në harmoni të plotë me planin e veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë përkundër sfidave që i kemi interesimi i qytetarëve çdo ditë e më shumë për vaksinim po rritet dhe ne qëndrojmë në objektivin tonë për vaksinim deri në fund të vitit të 60 për qind të popullatës duhet të përfshihet në vaksinim. Varianti Delta është prezent mbi 80 për qind e të infektuarve ditor dhe ky variant me shpërndarjen është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe e vetmja alternativë është vaksinimi”, theksoi Vitia.

Për procesin e vaksinimit, ministri Vitia ka thënë se ka qenë sfidë përgatitja e ekipeve dhe qendrave dhe se jo secila qendër ia ka dalë që të funksionoi në mënyrë të përkryer.

Vitia tha se në disa komuna është dashur që të punohet më shumë që t’u shpjegohet edhe qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit.

“Fillimi i këtij procesi ashtu siç kemi pritur është shoqëruar me vështirësi sepse siç kemi pritur kalimi i një procesi të vaksinimit nga 90 në 290 ekipe të vaksinimit kërkon angazhime shtesë të personelit shëndetësor që jo secila komunë apo qendër e vaksinimit ka pasur në dispozicion prej kohësh prandaj është dashur që ekipet t’i ngrisim duke angazhuar infermierë shtesë dhe specializantë nëpër komuna…Ka qenë sfidë të përgatitet edhe logjistika në aspekte tjera përfshirë këtu edhe fuqizimin e modulit elektronik të vaksinimit kundër COVID-19. Jo secila qendër e vaksinimit ia ka dal që qysh në fillim të kap ritmin e një procesi shumë më internsiv dhe të funksionoj në mënyrë të përkryer aq më tepër kur vaksinimi i shkon kryesisht sipas caktimi i termineve. Derisa komunat e mëdha për nga numri i të vaksinuarve në disa komuna është e vërtetë se është dashur të punohet më shumë edhe me popullatën për të kuptuar rëndësinë dhe nevojat e vaksinimit pas hezitimeve”, tha ai.

11:03

Kadrijaj: Rishikimi i buxhetit është bërë sipas preferencave politike të LVV-së

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj ka thënë se rishikimi i buxhetit është bërë sipas preferencave politike të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo madje kërkoi edhe më shumë mbështetje financiare për sektorin e kulturës dhe sportit.

Ndërsa, lidhur me deklarimin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu se ujësjellës “Hidrodrini” në Deçan nuk ka leje ujore, Kadrijaj tha se ka siguruar një vendim që e thotë të kundërtën.

“Reagimi i qeverisë ka qenë i vonshëm dhe nga kritika që kanë bërë deputetët qoftë të partive të ndryshme ministri, Liburn Aliu doli me deklarata të pabaza që Deçani për këtë ujësjellës nuk ka pasur leje ujore, kjo nuk qëndron zotëri ministër unë e kam një vendim ku komunës së Deçanit iu ka lejuar dhe ka marr aprovim për këtë ujësjellës. Në buxhetin e aprovuar keni bërë një buxhet politik dhe e keni shpërndarë sepse tash jemi në zgjedhje lokale dhe e keni shpërndarë sipas preferencave politike të LVV-së. Nëse e bëjmë një krahasim të buxhetit të një viti të parë dhe tash dhe nëse i shohim amendamentet zotëri Hekuran tash që është ministër të gjitha amendamentet që ka qenë kryetar i Komisionit janë aprovuara dhe kjo është e padrejtë, në mandatin e kaluar shihni sa amendamentet e partisë opozitare janë aprovuar shumica ndërsa tani të gjitha amendamentet e bëra nga opozita nuk janë aprovuar asnjë kjo nuk është e drejtë buxheti është i Republikës së Kosovës dhe duhet të shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme”, tha ajo./KSP

10:58

Kusari-Lila: Minishengeni, ripaketim i idesë së ish-Jugosllavisë

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se minishengeni ballkanik, i emëruar tani “Open Ballkan”, synon të krijohet mbi parimin e superioritetit të Serbisë, pozicion ky, siç ka thënë ajo, i keqpërdorur çdoherë nga Serbia duke abuzuar me të tjerët.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se krahasimi i mishengenit me Bashkimin Evropian është i pasaktë dhe çorientues.

“Për të gjithë ata që sot mundohen ta arsyetojnë një ide në qendër të së cilës është Serbia, e cila u mohon qytetarëve të saj vetëm se janë shqiptarë të drejtën e jetesës në atë shtet, e njëjta Serbia e cila në vazhdimësi cenon dhe pengon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, dhe po kjo Serbi e cila blen armë dhe dron nga Rusia e mohon gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, menjëherë dhe çuditërisht besohet se ushqen idenë për Ballkanin e Hapur, idenë e përbashkët, këtu në këtë mes nuk janë dy botë paralele siç po e theksojnë ata që e duan minishengenin me Serbinë në qendër dhe e krijojnë Kosovën, këtu është një realitet i qartë dhe një shtet që shkel të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj , një iluzion se është gjendur çelësi i problemit të Ballkanit, dhe një kullë prej letre e cila do të rrëzohet nga fryma e parë hegjemoniste serbe”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur për sukseset e xhudistëve kosovar në Lojërat Olimpike në Tokio.

“Fytyrën e vërtetë Serbia e shfaqi edhe kur ndaloi transmetimin nga televizioni shtetëror serb i betejës së Nora Gjakovës me arsyetimin se nuk kanë njerëz mjaftueshëm për të përcjellë ngjarjet në Tokio. Të njëjtës Serbi kryeministri i së cilës solli të ripaketuar idenë e minishengenit me emërtimin e ri Open Ballkan apo Ballkan i Hapur, ide kjo e kundërshtuar shumë në Kosovë, e marrë si zotim nga një ish kryeministër i Kosovës vitin që lam pas, por e refuzuar tani nga subjekti i tij politik, dhe shumë mirë që është kundërshtuar, e shumë mirë që nuk biem në kurthin e atyre që mendojnë që ripaketimi i idesë së ish-Jugosllavisë sjell diçka po zitive për shqiptarët dhe Kosovën”, ka shtuar ajo.

Ajo ka shtuar se suksesi i ekipit të xhudos është storia e Kosovës ku në mungesë të kushteve janë zhvilluar dhe kanë shënuar fitore të mëdha./KSP

10:20

Nis seanca e Kuvendit

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend të ditës janë gjashtë pika.

Seanca nisi me deklarimet jashtë rendit të ditës.

Rendi i ditës:

-Deklarimet jashtë rendit të ditës,

-Pyetjet parlamentare,

-Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik,

-Debat parlamentar lidhur me punën njëqind ditore të Qeverisë së Kosovës,

-Zgjedhja e kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

-Zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

08:12

Sot debat parlamentar mbi punën 100-ditëshe të Qeverisë Kurti 2

Deputetët do t’iu drejtohen të hënën ulëseve të Kuvendit të Kosovës në një seancë plenare nga ora 10:00, në rendin e ditës të së cilës janë gjashtë pika.

Në mesin e tyre do të jetë edhe debati parlamentar për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti 2. Po ashtu në rend dite është zgjedhja e kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë si dhe zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Rendi i ditës:

-Deklarimet jashtë rendit të ditës,

-Pyetjet parlamentare,

-Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik,

-Debat parlamentar lidhur me punën njëqind ditore të Qeverisë së Kosovës,

-Zgjedhja e kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

-Zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.