Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, ka thënë se janë 227 programe të Universiteteve që janë në pritje të akreditimit, ndërsa akreditimet institucionale janë trajtuar, ku nga 11, dy prej tyre janë kthyer te rekomandimi i ekspertëve.
Ilazi ka theksuar se më 27 korrik do të jetë mbledhja e radhës KSHC-së, derisa ka kërkuar nga anëtarët ndërkombëtarë të jenë prezent që të kryhet procedura e akreditimit të programeve sa më shpejt.
‘’Plotësimi i Këshillit me anëtar të rinj ka ndodhur më 17 qershor. Kjo ka qenë një periudhë para ratifikimit para pesë/gjashtë muajve. Tash kur kemi ardhur kanë qenë 239 programe institucionale, ka qenë një material shumë voluminoz, që është dashur të lexohet në një periudhë të shkurtër, ka qenë një material i cili është dashur të trajtohet shpejt. Sipas legjislacionit në fuqi në një farë forme jemi të detyruar ta përfillim rekomandimin e ekspertit. Kur e kemi pasur mbledhjen e parë e kemi pas akreditimin institucional, kanë qenë disa kontradikta brenda vet materialit. Nuk kemi mundur të kalojmë në sy të mbyllur, duke u mbështetur vetëm në rekomandime. Akreditimet institucionale i kemi trajtuar më 7 korrik, 11 kanë qenë gjithsej, dy i kemi kthyer te ekspertet , disa janë akredituar, disa jo. Sa i përket programeve, janë 227 që presin akreditimin. Edhe aty kemi rekomandimet e ekspertëve. Përafërsisht 12 % nuk akreditohen programet. Ne do të kemi mbledhjen e radhës më 27 korrik. Kam apeluar te anëtarët ndërkombëtar që të jenë prezent që të kryhet kjo procedurë dhe pastaj të fillojmë me një farë procedure normaliteti’’, ka thënë Ilazi në ‘’Desku’’ të KTV-së.
Universiteti i Prishtinës ende nuk e ka hapur afatin për pranimin e studentëve të rinj, për shkak të vonesës së procesit të akreditimit.