Këshilli Shtetëror i Cilësisë ende nuk ka përfunduar procesin e akreditimit të universiteteve publike dhe kolegjeve private. E një gjë të tillë po synon që ta përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Kjo vonesë po arsyetohet me faktin që Këshilli është kompletuar vetëm një muaj më herët dhe se për shqyrtim janë një numër i madh i aplikacioneve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërfundimi i procesit të akreditimit, përmbushja e kritereve për kthim të Kosovës në ENQA e EQAR, janë vetëm dy prej synimeve që kanë anëtarët ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se do të bëjnë përpjekje që i gjithë procesi i vlerësimit të aplikacioneve për akreditim të përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Ajo ka thënë se në mbledhjen e parë që kanë mbajtur kanë trajtuar disa aplikacione, por që thotë se është jo reale që të pritet që për një kohë shumë të shkurtër të përfundojnë 239 aplikacione.
“Ne kemi mbajtur mbledhjen e parë dhe në mbledhjen e parë kemi arritur me marrë vendime për disa, një pjesë me thënë të aplikacioneve, prioritet kemi pasur institucionet në rend të parë, në kuptimin e akreditimit institucional dhe tani kanë mbetur programet e veçanta të cilat duhet të akreditohen. Pse ka ndodhur vonesë, prapë unë po them që nuk është vërtetë shumë reale të pritet që për një muaj ne mundemi të trajtojmë të gjitha ato dokumente se kanë qenë realisht 239 aplikacione në pritje, llogariteni që secili aplikacion i ka 100 faqe. Do të thotë është e pamundur të kalohet nëpër to brenda një periudhe aq të shkurtër... Shpresojmë dhe bëjmë përpjekje që të gjitha programet të kalojnë nëpër këtë proces të vlerësimit dhe të kemi vendime deri në fund të korrikut”, ka thënë ajo.
Duke qenë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë përbëhet edhe prej anëtarëve ndërkombëtarë, e që pa qenë prezent njëri prej tyre nuk mund të merren vendime, Ilazi ka shprehur besimin se gjatë këtij muaji do të arrijnë të sigurojnë pjesëmarrjen e një prej anëtarëve ndërkombëtar për të përmbyllur këtë proces.
Kryetarja e KShC-së nuk ka dashur të përmend emrat e institucioneve apo programeve për të cilat kanë përfunduar shqyrtimin, nën arsyetimin se për to janë duke përgatitur vendimet dhe të njëjtat do të publikohen më pastaj.
“Qëllimi jonë është ngritja e cilësisë së arsimit në Kosovë dhe në momentin kur ne i kemi mekanizmat përmes të cilave do të masim ngritjen ose rënien e cilësisë në cilindo institucion qoftë privat qoftë publik nuk diskutohet, ne do të vendosim mbi bazën e performancës të cilën tregojnë universitetet dhe kolegjet. Ajo çka do të jetë përpjekja jonë është prapë po them që këto kritere, këta indikatorë të jenë sa më konkret, të jenë sa më të qartë, madje aq të qartë që institucionet edhe vet do të kenë mundësi me vlerësua vetën gjatë procesit dhe me e pas një ide të qartë se çfarë ka me qenë vendimi në fund”, ka potencuar ajo.
Gjatë procesit të shqyrtimit të aplikacioneve, Ilazi potencon se kanë vërejtur që legjislacioni aktual dhe manuali me të cilin punojnë mundëson interpretime të ndryshme të kritereve për akreditim, e këtë thotë se synojnë ta adresojnë shumë shpejt.
“Janë vërtetë disa lëshime edhe në legjislacionin aktual edhe në manualin mbi të cilin ne punojmë për momentin dhe të cilët në një farë forme mundësojnë edhe disa interpretime të ndryshme natyrisht prej palëve të interesuara. Por, ne do të bëjmë përpjekje që një prej prioriteteve kryesore që do të kemi pasi ta kalojmë këtë fazën e urgjencës, pikërisht të merremi me këtë kontekstin e legjislacionit, rregulloreve dhe të gjitha atyre dokumenteve të cilat janë bazë, të cilat përcaktojnë politikat mbi të cilat do të bëhet akreditimi dhe ngritja e cilësisë në arsimin në Kosovë”, ka thënë Ilazi.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, deklaron se si anëtarë të rinj të këtij institucioni prioritet e kanë plotësimin e kushteve për kthimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR.
Ilazi thotë se pika e parë në të cilën janë duke punuar është Ligji për Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, përmes të cilit thotë se do të fitohet pavarësia institucionale.
Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë votuar nga Kuvendi i Kosovës më 17 qershor, ndërsa mbledhja konstituive e Këshillit është mbajtur me 28 qershor./KP