Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

UP-ja në pritje të akreditimit të 38 programeve studimore

Në Universitetin e Prishtinës, 38 programe studimore të nivelit bachelor janë në pritje të vendimit për akreditim nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Mimoza Ibrani, ka bërë të ditur se para se të bëhet paraqitja e degëve për akreditim në KShC, fillimisht ato shqyrtohen nga njohësit kompetentë të këtyre çështjeve.

“Për këto programe ne tashmë kemi marrë vlerësimet preliminare, përkatësisht raportet nga ekspertët ndërkombëtarë, por në aspektin procedural nuk mund të shpallet konkurs pa kaluar të njëjtat në Këshillin Shtetëror të Cilësisë”, ka deklaruar Ibrani.

E që nga vlerësimet preliminare është bërë e ditur se Fakulteti Juridik dhe ai Ekonomik nuk do të akreditohen për nivelin e studimeve të doktoratës, me arsyen se stafi akademik nuk e ka përmbushur kriterin për numrin e mësimdhënësve me titull PhD nga fusha e programit të studimit, sepse po këta tituj nuk janë miratuar nga MASHTI.

Degë tjetër e cila nuk do të akreditohet është ajo e Mamisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Edhe Nxënës të 5-sheve dështojnë t’i zgjidhin detyrat e provimit për t’u pranuar në UP Arbëri 2 j. më parë Nxënës të 5-sheve dështojnë t’i zgjidhin detyrat e provimit për t’u pranuar në UP

“Ky program ka 180 ECTS, dhe rrjedhimisht sipas nenit 26, pika 5.3.4 e Udhëzimit Administrativ për Akreditim, për këtë program të studimit të Fakultetit të Mjekësisë duhet të ketë të paktën tre staf akademik me gradën shkencore PhD me marrëdhënie të rregullt të punës nga fusha e programit të studimit. Pas verifikimit të dokumentacionit për stafin akademik, u konstatua që asnjë nga bartësit nuk i përkasin fushës për programin e studimit”, ka shkruar në dokumentin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, të siguruar nga KOHA.

Ibrani ka shtuar se UP-ja si institucion është akredituar së fundmi në vitin 2020 nga KShC-ja me afat pesëvjeçar, ndërsa tash bëhet fjalë për akreditimin e degëve të saj të studimit.

“Institucionet e Arsimit të Lartë nuk mund të vazhdojnë me hapje të konkursit publik për rekrutim të studentëve në ato programe, por sidoqoftë mund të vazhdojnë tutje me ankimime”, është përgjigjur prorektorja Ibrani në pyetjen se çfarë do të ndërmerret në rast të mosakreditimit të ndonjë dege të UP-së.

E në lidhje me procesin e vonuar të akreditimit për KOHËN është përgjigjur kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi.

“Vonesa në përfundimin e procesit të akreditimit lidhet me grumbullimin e materialeve shkaku i mosfunksionalitetit të KSHC-së për disa muaj me radhë, ndërsa janë edhe pritjet joreale që vlerësimi i 239 institucioneve dhe programeve të mbetura të mund të përfundojë për më pak se një muaj të punës së KSHC-së në përbërje aktuale. Ju rikujtoj se ratifikimi i anëtarëve të rinj të KSHC-së në Parlamentin e Kosovës është bërë vetëm më 17 qershor 2021”, ka shkruar Ilazi në përgjigjen e saj.

Edhe Mbi 2 mijë maturantë në garë për 462 vende në Mjekësi Arbëri 2 j. më parë Mbi 2 mijë maturantë në garë për 462 vende në Mjekësi

Sipas kryetares së KShC-së, mbledhja për vendimin e akreditimit të këtyre degëve do të mbahet më 27 korrik.

Nëse akreditohen këto degë të UP-së, atëherë ka shanse që të mos zvarritet pranimi i studentëve të rinj dhe që viti akademik të nisë si zakonisht më 1 tetor. Në vitin akademik 2021-2022 në UP pritet të pranohen 6700 studentë të rinj.