Pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e shtatë studentë të rinj do të pranohen në Universitetin e Prishtinës i cili i ka hapur dyert për regjistrim.
Mimoza Ibrani, prorektore në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se për të gjitha programet e studimit organizohet provimi pranues. Sipas saj, nga 100 pikë të mundshme, kandidatët do të vlerësohen deri në 30 pikë për suksesin gjatë shkollës së mesme, 30 pikë nga testi i maturës, kurse 40 pikë është suksesi që kanë arritur në provimin pranues.
Sipas saj, afati i aplikimit është nga data 12 korrik deri më 19 korri, kurse me datën 22, 22 dhe 23 korrik organizohen provimet pranuese, shpallen rezultatet preliminare, jepet afat për kandidatët e pakënaqur që duan të bëjnë ankesë dhe pastaj nga fundi i korrikut shpallen rezultatet përfundimtare.
Ibrani në emisionin "Sot" në KTV ka thënë se vetëm të hënën ka pasur 2300 aplikime online.
“Ne urojmë që të vazhdojë ky trend i aplikimeve. Aplikimet kanë qenë të orientuara në Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike përkatësisht në programin Inxhinieri kompjuterike dhe softuerike, Arkitekturë, për drejtimin e Psikologji në Filozofik, pastaj kemi interesim të shtuar për dy programe të Edukimit, por edhe për Gjuhë dhe Letërsi Angleze dhe Gjermane. Këto kanë qenë aplikimet e djeshme”, ka thënë ajo.
Sipas saj, krahasuar me vitet tjera, vërehet një trend i ndryshimit, pasi më herët ka pasur interesim shumë të madh për Fakultetin Juridik dhe Ekonomik.
Ajo ka thënë se vitin e kaluar programi më i kërkuar ka qenë Mjekësi e Përgjithshme, ku kemi pasur deri në nëntë aplikime për një vend të studimit.
“Këtë vit në programin Mjekësi e Përgjithshme i pranojmë 200 kandidatë, kjo është risi pasi viteve të kaluara kanë qenë afër 140 vende në këtë program. Orientimi në karrierë duhet të fillojë para universitetit. Janë edhe dy programe për të cilat e presim dritën e gjelbër nga KSHC-ja, bëhet fjalë për Programin e Fizikës dhe Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Natyrore. Sa të marrim konfirmimin i cili pritet të jetë sot ose nesër, do t’i hapim këto programe”, ka thënë ajo.
Sipas saj, shumica e programeve që janë në UP përshtaten me tregun e punës.
Ajo ka thënë se UP-ja ofron programe edhe ku ka deficit të studentëve.
Ka shtuar se kohëve të fundit programi më i kërkuar bazuar në tregun e punës lidhet me fushën e inteligjencës artificiale, programimin.
“Sa i përket investimeve kemi pranuar grant ndërkombëtar për ndërtimin e fakultetit të Shkencave Natyrore për shkak se nuk qëndron mirë me infrastrukturë. Kemi pas investime në sallat e leximeve në disa fakultete. Kemi aktivitete të ndryshme”, ka thënë ajo.
