Arbëri

Ekspertët nisin vlerësimin e 240 programeve studimore

Agjencia e Kosovës për Akreditim e ka nisur të martën procesin e vlerësimit të programeve akademike. Sivjet, në proces të akreditimit janë 240 programe studimore, të cilat po vlerësohen nga ekspertët ndërkombëtarë.

Pas vlerësimit, ekspertët do të nxjerrin rekomandime, të cilat duhet të miratohen nga Bordi i Agjencisë, i njohur si Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Por aktualisht Bordi nuk është funksional, meqë javën e kaluar dhanë dorëheqje pesë anëtarë të tij, tre ndërkombëtarë e dy vendorë.

Drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, ka thënë se shpresojnë që në afat sa më të shpejtë të kompletohet Bordi derisa, sipas tij, për të proceduar me miratimin e vendimeve u duhet së paku një anëtar ndërkombëtar.

“Ne e kemi të miratuar listën e ekspertëve, i kemi të miratuara aplikacionet dhe të paktën deri në fund të prillit nuk do të ketë asnjë problem sa i përket mbarëvajtjes së punëve në Agjencinë e Akreditimit. Më së largu deri në fund të muajit maj nevojitet edhe një anëtar ndërkombëtar në KSHC, në mënyrë që të kthehet vendimmarrja që të mund të aprovohen raporte të ekspertëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Numri i aplikacioneve për akreditim këtë vit, sipas Gashit, është rekord në krahasim me vitet e kaluara, por ka thënë se presin që t’i përfundojnë brenda afatit.

“Besoj që ky numër është jashtëzakonisht i madh dhe i paparë ndonjëherë në agjenci, mirëpo kjo ka ardhur edhe për faktin se që nga koha e shkarkimit të bordit të kaluar janë bllokuar dhe shtyrë akreditimet për institucionet e arsimit të lartë dhe tanimë është grumbulluar një numër jashtëzakonisht i madh”, ka shtuar ai.

Ministri në detyrë i Arsimit, Ramë Likaj, përmes një përgjigjeje me shkrim ka theksuar se do ta respektojnë kornizën ligjore dhe shpresojnë në konstituim të shpejtë të Kuvendit pas zgjedhjeve.

Tre anëtarët ndërkombëtarë të KSHC-së u dorëhoqën për shkak të mosdeklarimit të pasurisë në Kundërkorrupsion, teksa u arsyetuan se këto të dhëna nuk u ishin kërkuar kur e pranuan detyrën.

“Asnjëherë më parë, Zyra e Ministrit nuk i ka konsideruar tre anëtarët ndërkombëtarë si zyrtarë publikë. Ne nuk jemi informuar për një gjë të tillë me rastin e emërimit tonë dhe ky nuk ka qenë një nga kushtet e emërimit. Siç duket, kjo gjë është duke u zbatuar në mënyrë retrospektive”, shkruhej në letrën e tyre.

Ndërkaq, 2 anëtarët vendorë dorëheqjen e arsyetuan se pas largimit të ndërkombëtarëve, Bordi më nuk ka legjitimitet. Në letrën e dorëheqjes, ata përmenden edhe presione të shumta nga brenda e jashtë gjatë punës në Këshill.

Bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim përbëhet nga 9 anëtarë, 6 prej të cilëve vendorë dhe 3 ndërkombëtarë.