ZKA-ja evidenton një sërë shkeljesh në Mitrovicën e Veriut

Një sërë shkeljesh ka evidentuar Zyra Kombëtare e Audimit gjatë audimit bërë Komunës së Mitrovicës Veriore.
Njëra nga të gjeturat ishte se në buxhetin fillestar në kategorinë subvencione dhe transfere ishin paraqitur shuma prej 96,000 euro, përderisa vlera e buxhetuar ishte 156,196 euro.
Ky prezantim i gabuar i buxhetit fillestar sipas ZKA-së ka rezultuar në një nënvlerësim të buxhetit fillestar të përgjithshëm për 60,196 euro.
Situatë e njëjtë ishte edhe te ndarjet fillestare dhe përfundimtare të buxhetit, tek fondet në kategorinë Transfere dhe subvencione të cilat ishin nënvlerësuar me 60,196€, ndërsa të hyrat vetjake të bartura nga viti 2019 në vlerë prej 69,000€ ishin prezantuar në Buxhetin Fillestar.
Komuna Veriore e Mitrovicës nuk ka planifikuar të hyra nga tatimi në pronë në buxhetin e vitit 2020. Sipas ZKA-së kjo kishte ndodhur pasi ende nuk kishte arritur të formojë një shërbim të tatimit në pronë.
“Edhe pse procesi i inventarizimit të pronave filloi në vitin 2014 me mbështetjen e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Komuna ende nuk e ka përfunduar atë. Kuvendi komunal nuk ka miratuar ndonjë rregullore për përcaktimin e shkallës së taksës” thotë raporti i auditimit.
Auditori ka gjetur se në të ashtuquajturën pajisje E-kiosk megjithëse janë lëshuar lloje të ndryshme të dokumenteve, të gjitha të hyrat janë regjistruar si certifikata të lindjes.
“Komuna nuk ka arrit të regjistrojë të hyrat e mbledhura përmes E-kiosk në kohë, dhe vonesa në regjistrimin e këtyre të hyrave në SIMFK ishte për shkak të vonesave në depozitimin e këtyre të hyrave nga arkatari. Shuma prej 530€ e regjistruar me dt.02.02.2021 në emër të certifikatave të lindjes, ka përfshirë të hyrat e mbledhura të vitit 2020. Përfundimi i kontratës që Komuna e kishte me një kompani private për instalimin/konfigurimin e sistemit të menaxhimit të e-Kiosk, ka reflektuar në mungesë të kontrollit në monitorimin e gjendjes së të hyrave dhe lëshimit të dokumenteve përmes E-Kiosk” thotë ky raport.
Për 30 zyrtarët e angazhuar në Drejtorinë për Situata Emergjente dhe Siguri (zjarrfikës), ZKA ka evidentuar se Komuna ka paguar në mënyrë retroaktive shumën prej 30,240 euro (pagesa për kujdestari të natës, orët shtesë, festat zyrtare) që i takonin vitit 2019 duke i regjistruar si pagesa të rregullta të kompensimeve e jo në kodin adekuat të mëditje për punë - jo me orar të rregullt.
“Për më tepër, Komuna nuk ishte në gjendje të ofrojë dosjet e plota të këtyre zyrtarëve në bazë të të cilave bëhet kompensimi i pagës. Sipas shefit të personelit, dokumentacioni që tregon praninë e punëtorëve, si dhe regjistrat e pushimeve mjekësore ose vjetore, mbahen nga Shefi i shërbimit të zjarrfikësve, por nuk dërgohen në Komunë” thotë raporti i ZKA-së.
ZKA ka evidentuar gjithashtu shkleje sa i përket përdorimit të mbushjeve të telefonit gjatë vitit 2020.
Komuna gjatë vitit 2020 kishte në dispozicion kartela për telefon në vlerë prej 12,000 euro dhe sipas ZKA-ka që nga muaji prill komuna nuk ka aplikuar vendimin e Qeveris për zvogëlim të shpenzimeve.
“Pozita e drejtorit ka vazhduar që të paguhet nga 40 euro në vend të 20 euro sa ishte vendosur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas vendimit të Komunës nr. 13-031 për ndarjen e mbushjeve, kemi vërejtur se tejkalimi është bërë në dy raste, ku në rastin e parë ishte shfrytëzuar mbushja prej 150 euro edhe pse me vendim ishte përcaktuar 100 euro dhe në rastin tjetër edhe pse ishte përcaktuar 20 euro, ishin shfrytëzuar mbushja prej 50 euro. Këtë mundësi e kishin shfrytëzuar nga korrik i 2019 deri në janari të 2020 apo në vlerë prej 560 euro më shumë se sa ishte e rregulluar. Me vendim e komunës dy pozita nuk kanë të drejtë për mbushje, ndërsa komuna i ka pajisur me 50 euro dhe 30 euro mbushje për vitin 2019/2020 dhe në mars të vitit 2021, kemi konstatuar se në stok ishin 4,740 euro mbushje si të pa shpenzuara. Kjo ka ndodh në mungesë të kontrollit dhe zbatimit të rregullave të vendosura nga Komuna apo Qeveria e Kosovës” thotë raporti i ZKA-së.
Gjatë auditimit ZKA ka gjetur shkelje sa i përket edhe faturave të prokotkolluara nga Kompania regjionale e Ujësjellësit „Mitrovica“ në lidhje me shpenzimin e ujit, faturuar vetëm për periudhën 01- 30.11.2020.
ZKA ka gjetur shkelje edhe sa i përket shpërndarjes së mallrave dhe shfrytëzimit si mbështetje për COVID 19.
“Nga 177,500 maskat e pranuara, ishin shpërndarë 175,950 dhe në stok duhet të ishin 1,550 maska. Ne identifikuam se në depo ishin 12,500 maska. Nga 350,000 dorëzat e pranuara ishin shpërndara 352,100, pra janë 2,100 dorëza si të shpërndarë, ma tepër se sa pranimi. Nga 170,000 mbrojtëse për këpucë (një përdorimesh) të pranuara janë shpërndara 168,500 në stok do duhej të ishin 1,500 njësi. Gjatë ekzaminimit në depo nuk kishte asnjë njësi nga ky mall. Nga 24,860 copë dezinfektues të pranuar sipas listës shpërndarëse ishin shpërndarë 24,954, pra 94 copë dezinfektues ma tepër se sa janë të pranuara nga komisioni i pranimit dhe menaxheri i projektit. Po ashtu, në depo ishin edhe 997 copë të pa shpërndara; dhe në listat e shpërndarës ishin evidentuar 9,450 maska, 2,600 doreza dhe 10 dezinfektues për shfrytëzim nga zyrtaret komunal, mirëpo nuk kishte dëshmi se kush është ngarkuar me to” është thënë në raportin e auditimit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.