Arbëri

Daka: Vendimi i presidentes për shkarkim ishte i përgatitur më herët

Descriptive Text

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e ka cilësuar si jokushtetues, qesharak dhe të pambështetur në ligj vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e saj nga kjo pozitë. Para gazetarëve, Daka ka deklaruar se procesi i shkarkimit të saj kishte nisur përmes kërcënimeve të Osmanit nga janari i këtij viti, në kohën kur ishte marrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar kandidimin e personave të shpallur fajtorë në tri vitet e fundit për ndonjë vepër penale.

“Vetëm një ditë pas vendimit të KQZ-së për moscertifikim të këtyre personave, më 23 janar, UD e Presidentes së Kosovës, përmes një video-mesazhi kishte kërcënuar publikisht me shkarkim anëtarët e KQZ-së. Ndonëse do të duhej të ishte në krye të detyrës për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe të inkurajonte KQZ-në për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjin, ajo po i kërkonte KQZ-së të mos respektonte Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky presion i porositur ka vazhduar më vonë edhe nga përfaqësuesit e një subjekti të caktuar politik, të cilët kanë pamundësuar zhvillimin normal të mbledhjeve, duke shkaktuar ndërprerje dhe duke bërë akuza të pabaza, e shpeshherë duke kaluar fyerje dhe ofendime, por që Presidentja nuk mori asnjëherë mundimin për të reaguar”, ka deklaruar ajo.

Daka ka thënë se është ndëshkuar vetëm pse ka aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin. Për të, ky është absurditet dhe i porositur.

“Ky vendim i Presidentes, i bërë publik pasditen e së hënës, shihet qartë se ishte përgatitur më herët. Këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së. Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim, ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen”, ka theksuar ajo.

Këtë takim e ka mohuar këshilltari i presidentes Osmani, Artan Murati, duke thënë se presidentja nuk i ka ofruar Dakës as dekoratë e as mirënjohje presidenciale. Ish-kryetarja e KQZ-së ka thënë se gjuha dhe sjellja e tillë e presidentes ishte e papranueshme, duke thënë se ka përmbushur detyrën e saj me integritet të lartë profesional.

“Në këtë vendim, Presidentja e Republikës ka renditur disa arsye për shkarkimin tim. Këto janë arsye të paqëndrueshme dhe nuk mbështeten në realitet, i cili është krejtësisht i ndryshëm. Argumentet e dhëna nga Presidentja e Kosovës janë lehtësisht të rrëzueshme dhe nuk duhet mundim i madh për ta bërë këtë”, ka shtuar ajo.

Duke përmendur arsyet e cekura në vendimin për shkarkim, Daka ka thënë se presidentja Osmani po thotë të pavërteta në çështjen e verifikimit të aplikuesve nga jashtë vendit, si arsye për vendimin e saj.

“Në vendimin e Presidentes, vendimi i KQZ-së vlerësohet si mohim i të drejtës për të votuar. Zonja Presidente, kjo është një e pavërtetë e madhe. KQZ-ja, me vendimin për verifikimin e aplikuesve nuk i ka mohuar askujt të drejtën për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe as për të votuar, sepse KQZ-ja i ka përfshirë në listën votuese edhe ata aplikues që nuk kishte arritur t’i kontaktonte përmes telefonit. Për më tepër, vendimi i KQZ-së nuk është marrë vetëm nga unë, por për të kanë votuar të gjithë anëtarët e KQZ-së”, ka theksuar ajo.

Daka ka thënë se gjatë kohës sa ishte në krye të KQZ-së ka përmbushur detyrën e saj, pa u dorëzuar përballë presioneve.

Në fund të deklarimit para mediave, Daka ka thënë se do i shoh të gjitha mundësitë për të kërkuar të drejtën e saj përmes rrugëve ligjore. Kjo e fundit sipas Dakës është shkelur “me një vendim politik dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përkohshme”.

Për shkarkimin e Valdete Dakës ka pasur reagime nga partitë opozitare dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Vendimin e presidentes Osmani e kanë cilësuar si shkelje.

Për shkarkimin e Dakës, të hënën kanë reaguar partitë opozitare dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, duke e cilësuar si vendim jo të drejt. Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë bërë thirrje që reagojnë edhe vendet e Quint-it.

“Veprimi i Osmanit përben ndërhyrje flagrante. KQZ-ja është lavdëruar për vite me radhë për organizimin e zgjedhjeve. PDK-ja fton ambasadat e vendeve të Quint-it të reagojnë për cenimin e institucioneve përndryshe mosreagimi i tyre tregon se po i mbështesin këto veprime. Nga sot Osmani do të jetë përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale”, ka thënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Të motivuar politikisht e kanë cilësuar nga shoqëria civile këtë vendim. Thonë se kjo ka ardhur si rezultat i ndërrimit të pushtetit në vend pas zgjedhjeve të fundit.

“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.