3 perditesime
19:39

Kurti këmbëngul edhe pas takimit me Lajçakun se dialogu nuk është prioritet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar për detajet e takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Ai ka thënë se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë, por ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë. Kurti ka shtuar se nuk është në presion të kohës.

Ai tutje nuk ka dhënë datë se kur mund të rifillojë dialogu.

“Nuk ka datë, sepse duhet të formojmë qeverinë, duhet të bëhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Qeveria do ta ketë edhe ministrin e jashtëm për të gjitha punët e ekzekutivit. Unë nuk jam kundër dialogut në parim, jam për dialog parimor”, ka thënë ai.

I pyetur nëse është diskutuar harta në zyrën e Lajçakut, Kurti ka thënë se nuk ka diskutuar me Lajçakun për harta.

19:08

Përfundon takimi Kurti-Lajçak

Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimi ka nisur nga ora 18:00 derisa nuk është bërë e ditur se cila ka qenë tema e takimit.

Ata nuk janë deklaruar ende për media.

17:57

Lajçak mbërrin në selinë e VV-së

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbërritur në Kosovë për vizitë tre-ditore.

Ai vizitën e ka nisur në selinë e Lëvizjes Vetëvendosjes, ku do të pritet nga kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

Siç është bërë me dije deri tash, takimi mes Kurtit e Lajçakut do të mbahet nga ora 18:00.

Nesër Lajçak do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, nga ora 08:00. Pas takimit është parlajmëruar konferencë për media.

12:03

Lajçak: Kurti e di që bashkësia ndërkombëtare pret vazhdimin e dialogut

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare pret nga Qeveria e re e Kosovës që të vazhdohet dialogu Kosovë – Serbi.

Lajçak sot do ta nisë vizitën tre ditore në Kosovë, e më pas do të vizitojë edhe Serbinë.

Ai pritet të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e parakohshme në Kosovë më 14 shkurt.

“Mendoj se nuk është nevoja të shpjegojë arsyen e vizitës sime. Herën e fundit kur janë takuar dy liderët në Bruksel ishte në shtator, e hera e fundit kur isha në Prishtinë e Beograd ishte tetori. Në nivel të ekspertëve herën e fundit janë takuar palët në dhjetor. Në Kosovë e kemi z. Kurti, që ka fituar zgjedhjet, është e zakonshme që të bisedojmë me të, të shoh si janë planet e tij, prioritetet e Qeverisë, si mendon për vazhdimin e dialogut e po ashtu ta sjelli mesazhin e BE-së. Nuk është fshehtësi që BE-ja pret vazhdimin e dialogut. Ne jemi të gatshëm të sjellim dy liderët në Bruksel, pyetja është se kur mund të ndodhë kjo”, ka thënë Lajçak në intervistë për Tanjug.

Ai ka shtuar se nuk duhet të dramatizohen deklarimet e Kurtit, që ka thënë se dialogu me Serbinë do të jetë në vend të katërt në listën e prioriteteve të Qeverisë së tij.

“Nuk bën të dramatizojmë ato deklarata. Natyrisht se z. Kurti e di që nga ai pritet që të zgjidhë çështjen e lidhur me korrupsionin, problemet ekonomike po ashtu çështjen e sundimit të ligjit. Po ashtu e di ai se bashkësia ndërkombëtare, BE-ja e SHBA-ja, presin vazhdimin e dialogut. Një nga synimet e vizitës sime është të bisedojë me Kurtin. Kemi biseduar me të kur ishte më herët kryeministër. Ai hoqi taksën, bëri të mundur bashkëpunimin konstruktiv të institucioneve shëndetësore gjatë kohës së pandemisë, është partner i njohur për ne”, ka thënë Lajçak.

Ai ka shtuar se edhe në Beograd nuk do të shkojë me ultimatum. Ka thënë se synimi është normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, pasi vetëm nëpërmjet kësaj mund të arrihet integrimi evropian i atyre.

Po ashtu ka thënë se BE-ja gjithmonë ka bashkëpunim shumë të mirë me SHBA-në.