5 perditesime
17:54

Gjeloshaj thotë se do t’i vazhdojnë konsultat me Qeverinë

Në orët e mëngjesit policia malazeze e kishte bllokuar qytetin e Tuzit, me arsyetimin se qeverisja lokale ka marrë vendim për t’i lënë të hapura lokalet e gastronomisë në kundërshtim vendimin e Qeverisë malazeze

Tuz, 25 shkurt - Pas takimit me zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq, kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë të enjten se ai do të vazhdojë konsultimet me Qeverinë për masat e reja për mbyllje të bizneseve. Ai s’ka specifikuar për çfarë janë dakorduar dhe as nuk është përgjigjur nëse objektet hoteliere do të vazhdojnë të jenë të hapura në Tuz.

Gjeloshaj dhe deputeti i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu janë takuar me Abazoviqin pasditen e së enjtes, ka raportuar “Vijesti”.

Në orët e mëngjesit, policia malazeze e kishte bllokuar qytetin e Tuzit, me arsyetimin se qeverisja lokale ka marrë vendim për t’i lënë të hapura lokalet e gastronomisë në kundërshtim vendimin e Qeverisë malazeze. Sipas mediave malazeze, kamionë të shumtë, që për destinacion kanë Shqipërinë, ishin urdhëruar të parkoheshin skaj rrugës magjistrale, pa u futur në Tuz.

Aksioni është marrë me urdhër të Prokurorisë Themelore të Shtetit, ndërkohë që, sipas mediave, disa pronarë të lokaleve janë marrë në pyetje.

Gjeloshaj kishte thënë se e gjithë kjo ka prapavijë politike, duke e ftuar kryeministrin Zdravko Krivokapiq apo zv.kryeministrin Abazoviq ta vizitojnë qytetin shqiptar në Mal të Zi.

“Është një hakmarrje e Qeverisë për shkak të shfaqjes së flamurit të Kosovës dhe Shqipërisë në objektin e Komunës së Tuzit”, kishte thënë ai.

Shumë qytetarë ishin mbledhur mëngjesin e së enjtes në qendër të Tuzit, duke krijuar atmosferë të tensionuar bashkë me praninë e forcave policore.

Ndërkohë, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka thënë ngjarjet në Tuz nuk i shërbejnë askujt.

“Masat e reja epidemiologjike synojnë të mbrojnë qytetarët e Tuzit, sepse ne tregojmë se shëndeti i qytetarëve tanë është mbi të gjitha”, ka thënë ai. Paraprakisht, ai e kishte anuluar vizitën në Tuz. Këtë gjë e kishte bërë të ditur edhe Gjeloshaj.

“Ishit të pranishëm shumica prej jush kur më thirri Krivokapiq, të gjithë keni regjistruar bisedën dhe tregoi dëshirën për të zgjidhur këtë çështje përmes dialogut. Pak më parë më njoftoi se nuk do të vijë. Ai nuk më la vend për të thënë asnjë fjali. Nuk e shpjegoi arsyen. Është sjellje e papërgjegjshme. Ne do të jemi më të përgjegjshëm se ai, ne respektojmë ligjin për vetëqeverisjen lokale. Do të donim të prisnim ata dhe të gjenim një kompromis të kënaqshëm për të gjithë. Çdo koment është i tepërt, na duhet që kryeministri ta mbajë fjalën e tij”, ka thënë ai.

Gjeloshaj bashkë me qytetarët kishin bllokuar rrugën ndërkombëtare, duke paralajmëruar se nuk do të lëviznin nga aty derisa të vinin Krivokapiqi dhe Abazoviqi.

Krahas përkrahjes nga qytetarët, Gjeloshajt përkrahje i kanë ofruar edhe partitë shqiptare në këtë vend, ndër to “Forca e Re Demokratike”.

“Fatkeqësisht Qeveria me vendimin e saj ka treguar pafuqi për të gjetur një zgjidhje që nuk do t’i viktimizonte shqiptarët ose nuk do të hakmerrej ndaj tyre. Ndërkohë, udhëheqësja e Tuzit ka treguar kompetencë me vendimin e saj në mbrojtje të qytetarëve. Ftojmë kryeministrin ose zv.kryeministrin e Malit të Zi t’i përgjigjet ftesës së kryetarit të Tuzit, Nik Gjeloshaj”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

16:55

Situata në Tuz, Gjeloshaj takohet me Abazoviqin

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe deputet i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, kanë nisur një takim me zëvendëskryeministrin, Dritan Abazoviq, ka mësuar “Vijesti”.

Në takim merr pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq Bojovi.

Siç raportohet, tashmë pas bllokimit disa orësh, situata është më e qetë dhe lokalet po vazhdojnë punën.

15:23

Krivokapiq: Ajo që po ndodh sot në Tuz nuk i shërben askujt

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka thënë se ajo që po ndodh sot në Tuz, nuk i shërben askujt.

“Masat e reja epidemiologjike synojnë të mbrojnë qytetarët e Tuzit, sepse ne tregojmë se shëndeti i qytetarëve tanë është mbi të gjitha”, ka thënë Krivokapiq.

Ai kishte paralajmëruar vizitë në Tuz sot, mirëpo e anuloi atë. Por, kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj ka njoftuar se kanë marrë iniciativë të re për të biseduar me përfaqësuesit qeveritarë.

Ndërkohë kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se ata kanë përgjegjësi ndaj komunës që e përfaqësojnë dhe po ashtu ndaj qytetarëve.

“Ne do të bëjmë pjesën tonë të punës, Policia po shkon atje ku ka punë, ne kemi marrë një iniciativë të re për të biseduar me përfaqësuesit e Qeverisë. Ne e kemi pranuar atë, biseda është e rëndësishme për ne. Nuk ka rëndësi ku do të shkojmë, dialogu është i rëndësishëm”, ka thënë Gjeloshaj.

Ai theksoi se kanë rënë dakord me Policinë që të mos mbyllen lokalet.

14:27

Gjeloshaj: Krivokapiqi anuloi vizitën në Tuz

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, nuk do të shkojë në Tuz.

“Ishit të pranishëm shumica prej jush, kur më thirri Krivokapiq, të gjithë keni regjistruar bisedën dhe tregoi dëshirën për të zgjidhur këtë çështje përmes dialogut. Pak më parë më njoftoi se nuk do të vijë. Ai nuk më la vend për të thënë asnjë fjali. Nuk e shpjegoi arsyen. Është sjelle e papërgjegjshme. Ne do të jemi më të përgjegjshëm se ai, ne respektojmë ligjin për vetëqeverisjen lokale. Do të donim të prisnim ata dhe të gjenim një kompromis të kënaqshëm për të gjithë. Çdo koment është i tepërt, na duhet që kryeministri ta mbajë fjalën e tij”, tha Gjeloshaj.

Ai ka thënë se hapat e tyre të ardhshëm janë respektimi dhe puna për të luftuar pandeminë.

“Një apel tjetër për kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin për të ardhur për bisedime”, ka deklaruar Gjeloshaj. “Ne respektojmë ligjin, komuna është e vetmja përgjegjëse për funksionimin e objekteve hotelierike”.

Ai ka treguar se asnjë përfaqësues qeveritar nuk do të vijë në Tuz.

Gjeloshaj më pas ka thënë se ka informata që masat epidemiologjike për Tuzin do të ndryshojë. Dhe ka shtuar se nuk ka informata për vendim për arrestim.

14:08

Qytetarët e Tuzit kundërpërgjigjen me bllokadë, kryeministri malazez pranon takimin

Kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se bashkë me qytetarët kanë bllokuar rrugën ndërkombëtare dhe se nuk do të lëvizin nga aty deri sa të vijnë në këtë qytet kryeministri Zdarvko Krivokapiq dhe zv.kryeministri Dritan Abazoviq.

Sot në mëngjes, Policia malazeze bllokoi hyrjet në këtë qytet shqiptar në Mal të Zi, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Shtetit për të mbyllur lokalet e gastronomisë që ishin hapur në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Malit të Zi.

Lokalet ndërkohë u hapen me vendim të kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

“Ata duhet të flasin me ne, ta shohim pse po na diskriminojnë dhe çka po u pengon. Nuk munden të arrijnë asgjë me dhunë”, ka thënë Gjeloshaj, përcjell gazeta “Vijesti”.

Më herët, ai tha se e gjithë kjo ka sfond politik. Sipas tij, autoriteteve malazeze u ka penguar që në objektin e komunës janë vënë flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjeloshaj ka marrë përkrahje nga qytetarët e Tuzit, të cilët nga mëngjesi po qëndrojnë në qendër, ndërkohë ka marrë përkrahje edhe nga partitë shqiptare në këtë vend.

Ndërkohë, Gjeloshaj përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se e ka kontaktuar kryeministri Zdravko Krivokapiq.

”Më në fund më kontaktoi kryeministri Krivokapiq. Kërkoi të takohemi në ndërtesën e Qeverisë, mirëpo si përfaqësues i popullit dhe duke e ditur se edhe ata do të vijnë pas meje, u dakorduam që takimi të ndodh sot në orën 14:00 në ndërtesën e Komunës së Tuzit”, ka shkruar Gjeloshaj.

10:20

Policia malazeze bllokon Tuzin, Gjeloshaj e lidh këtë me flamurin e Kosovës

Policia malazeze ka bllokuar hyrjet për në Tuz, me arsyetimin se ka marrë aksion për të mbyllur lokalet e gastronomisë, që janë hapur sot me vendim të kryetarit të komunës, Nik Gjeloshaj.

Qeveria e Malit të Zi ka marrë masa për ndalimin e përhapjes së COVID-19, e ndër to edhe për mbylljen e lokaleve të gastronomisë.

“Vijesti.ma” shkruan se kamionë të shumtë që për destinacion kanë Shqipërinë, janë urdhëruar të parkohen skaj rrugës magjistrale pa u futur në Tuz.

Aksioni është marrë me urdhër të Prokurorisë Themelore të Shtetit, ndërkohë që sipas mediave, disa pronarë të lokaleve janë marrë në pyetje.

Kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se e gjithë kjo ka prapavijë politike dhe ka ftuar kryeministrin Zdravko Krivokapiq apo zv.kryeministrin Dritan Abazoviq të vizitojnë qytetin shqiptar në Mal të Zi.

“Është një hakmarrje e Qeverisë për shkak të shfaqjes së flamurit të Kosovës dhe Shqipërisë në objektin e Komunës së Tuzit”, ka thënë Gjeloshaj.

Shumë qytetarë janë mbledhur në qendër të Tuzit, e që bashkë me praninë e forcave policore kanë krijuar atmosferë të tensionuar.

Ndërkohë, partia shqiptare Forca e Re Demokratike i ka dhënë përkrahje kryetarit të komunës, Gjeloshaj.

“Fatkeqësisht Qeveria me vendimin e saj kas treguar pafuqi për të gjetur një zgjidhje që nuk do t’i viktimizonte shqiptarët ose nuk do të hakmerrej ndaj tyre. Ndërkohë, udhëheqësia e Tuzit ka treguar kompetencë me vendimin e saj në mbrojtje të qytetarëve. Ftojmë kryeministrin ose zv,kryeministrin e Malit të Zi t’i përgjigjet ftesës së kryetarit të Tuzit, Nik Gjeloshaj”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Zv.kryeministri Abazoviq, sipas "Vijesti.ma", është shprehur i gatshëm të bisedojë me Gjeloshajn për këtë çështje, siç ka thënë “brenda sistemit shtetëror”.

Image