2 perditesime
14:45

Mustafa e konfirmon dorëheqjen

Isa Mustafa e ka konfirmuar largimin e tij nga pozita e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mustafa para gazetarëve ka thënë se ka bërë thirrje që të mblidhet kuvendi i LDK-së për ta zgjedhur kryetarin e ri të partisë dhe kjo sipas tij nënkupton largimin e tij.

“E kishim mbledhjen e kryesisë së LDK-së, të cilën e kam thirrur unë pas rezultateve të zgjedhjeve. Rezultati është shumë i keq për LDK-në, që nuk e kemi pritë fare edhe nga takimet në terren dhe puna që e ka bërë Hoti. E kam njoftuar kryesinë se do ta pres kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë në një periudhë shumë të shpejt kohore, i kemi 60 ditë për ta bërë këtë, por do ta bëjë më shpejt që ta zgjedhim më shpejt kryetarin e ri”, tha ai.

Mustafa tha se nuk kanë zgjedhur ende ushtrues detyre të kryetarit të partisë.

“Kur e thërras kuvendin nënkupton që unë jam larguar. Nuk kemi zgjedhë ende ushtrues detyre të partisë”, tha ai, teksa shtoi se nuk janë propozuar as emra për kryetar.

14:21

Jep dorëheqje Isa Mustafa

Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu kanë bërë të ditur burime të KOHËS.

Dorëheqja vjen pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit. Lidhja Demokratike Kosovës nuk po prin në asnjë komunë, madje nuk kryeson as në komunat të cilat i kishte bastione.

Mustafa përmes një postimi në Facebook ka paralajmëruar ndryshime në këtë parti pas rezultatit të zgjedhjeve, ndërkaq kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se do të marrë përgjegjësi për këtë rezultat.

Mustafa postin e të parit të partisë e ka mbajtur prej 11 vjetësh, prej kur ishte emëruar si kryetar në vitin 2010.

13:40

​Mblidhet Kryesia e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës është mbledhur për të analizuar rezultatin zgjedhor.

LDK në zgjedhjet e djeshme doli e treta duke marrë vetëm 13 për qind të votave, ndërsa tashmë kanë nisur zëra kundër Isa Mustafës, duke kërkuar nga ai përgjegjësi për rezultat të dobët zgjedhor.