Arbëri

QKRMT bën thirrje që të dënohet dhuna policore ndaj 18-vjeçarit

QKRMT përmes një komunikate për media, ka shprehur shqetësimin për faktin se edhe në të kaluarën është raportuar për përdorim të forcës apo keqtrajtim fizik të të arrestuarve dhe ndaluarve nga ana e Policisë së Kosovës dhe organet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar dhe zbardhur këto raste.

Ndërkaq sipas tyre, raportimet e QKRMT-së për këto raste janë shoqëruar edhe me evidenca mjekësore për lëndime trupore të të arrestuarve.

“QKRMT i sheh këto veprime të Policisë së Kosovës si krejtësisht të panevojshme, të ndëshkueshme dhe absolutisht të papranueshme. Bazuar në vlerësimet e QKRMT-së, këto sjellje përbëjnë keqtrajtim të personave të arrestuar dhe të privuar nga liria, trajtim jonjerëzor, degradues dhe poshtërues. Përtej situatës që ka quar në arrestimin dhe ndalimin e viktimës, veprimet e tilla të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj të arrestuarit janë të ndaluara dhe të ndëshkueshme, në pajtim me legjislacionin vendor dhe instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të aplikueshme në Kosovë”, thuhet në njoftim.

QKRMT-ja ka kërkuar nga Prokuroria dhe Gjykata kompetente, që në kuadër të autorizimeve ligjore të veprojnë sa më shpejt për gjykimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve policor të shfaqur në videot e publikuara në media, gjatë keqtrajtimit të tetëmbëdhjetëvjeçarit në stacionin policor në Prishtinë në vitin 2018.

QKRMT thotë se në disa raste ka paraqitur kallëzime penale në organet e hetuesisë dhe ka raportuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) si dhe Policinë e Kosovës, duke ju kërkuar ndërmarrjen e hetimeve të nevojshme ndaj raportimeve dhe ankesave për përdorimin e forcës nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Ekipet e QKRMT i marrin këto pohime qoftë nga personat e arrestuar në stacionet policore apo nga të paraburgosurit dhe të dënuarit nëpër qendrat korrektuese të Kosovës, gjatë vizitave monitoruese. Për fat të keq, Prokuroria e Shtetit, IPK-ja dhe Policia e Kosovës janë vonuar në përgjigjet dhe reagimet e tyre apo kanë gjetur se në rastet e raportuara nuk ka pasur elemente të veprave penale ndaj veprimeve policore të raportuara. Shumica e këtyre rasteve kanë përfunduar në nivelin e hetimeve për shkelje disiplinore në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.