12 perditesime
14:35

Përfundon seanca në Kushtetuese

Ka përfunduar seanca në Gjykatën Kushtetuese, ku u diskutua për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.

Kryetarja Arta Rama-Hajrizi njoftoi se kur gjykata të marrë vendim, palët do të njoftohen.

“Këto argumente që dëgjuam sot, ose nëse keni argumente plotësuese mund të përmbledhen dhe të dorëzohen me shkrim deri më datën 7 në Kushtetuese. Përmes kësaj seance, gjykata ka precizuar qëndrimet e të gjithëve. Porsa gjykata të marrë vendim, do të njoftohen palët. Kur të bëhet vendimi i shkruar u dërgohet të gjithëve. Palët do të njoftohen me kohë”, u shpreh Rama Hajrizi.

13:20

Seanca në Kushtetuese drejt fundit, gjyqtarët shtrojnë pyetje për palët

Seanca publike dëgjimore për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, po shkon drejt fundit.

Gjyqtarët e Kushtetueses secili veç e veç po shtrojnë pyetje për palët në këtë seancë.

Me pyetjet e gjyqtarëve dhe përgjigjet e palëve, pritet të përfundojë kjo seancë.

Shumica e gjyqtarëve tashmë i kanë shtruar pyetjet e tyre.

12:09

Rama-Hajrizi pyet Qeverinë nëse konsideron se po cenohet integriteti i qytetarëve nga deputeti Arifi

Arta Rama-Hajrizi, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ka pyetur Besnik Berishën si përfaqësues të Qeverisë së Kosovës lidhur me rastin e Etem Arifi, se “si Qeveri, a konsideroni se integriteti kushtetues dhe besueshmëria e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës cenohet nëse një deputet i dënuar për vepër penale me burgim efektiv zgjidhet dhe vazhdon të ushtrojë rolin e deputetit edhe në vuajtje të dënimit, që të jetë pjesë në procedurat e vendimmarrjes në Kuvend?”.

Berisha, ka thënë se Qeveria e Kosovës mbështet sigurinë juridike.

“Qeveria e Kosovës mbështet sigurinë juridike. Përfaqësojmë vlerat e vendeve demokrate. Nëse flasim për kredibilitetin, pajtohemi se figurat që përfaqësojnë qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm e profesionist. Ne pranojmë se në rastin konkret, normat kushtetuese janë në favor të një deputeti që ka qenë i ligjshëm”, tha Berisha.

11:57

Sallahu i përgjigjet Rama Hajrizit: Në rastin e Arifit, po bëhet dëmtimi i demokracisë

Arta Rama Hajrizi, kryetare e Kushtetueses, i ka drejtuar pyetje Blerim Sallahut, si parashtrues i ankesës për deputetin Etem Arifi.

“A konsideroni ju si parashtrues se cenohet siguria juridike dhe integriteti kushtetues i Kuvendit nëse përcaktues për të vendosur se nëse një deputet ka humbur mandatin, merret vendimi i Këshillit Gjyqësor për Kuvendin”, pyeti Rama Hajrizi.

“Sa i përket pyetjes së parë, në momentin që kemi marrë informacion nga Osmani, për neve ka filluar prodhimi i pasojave të marrjes së mandatit të Arifit. Sa i përket sigurisë juridike, në momentin që Arifi, deputet i dënuar ushtron mandat të caktuar, shkel interesin publik. Po bëhet dëmtimi i demokracisë. Konsiderojmë se raporti i Venecias, demokracia, i mbivendoset sigurisë juridike”, u përgjigj Sallahut.

Pyetja e dytë e shtruar nga Rama Hajrizi për Sallahun ishte se “nëse Kuvendi nuk do të kërkonte informatë për deputetin në fjalë apo KGJK-ja nuk e njofton Kuvendin vetvetiu që një deputet është dënuar për vepër penale, a nënkupton që mandati i tij është i vlefshëm?”.

“Nëse nuk kemi informacion lidhur me këtë çështje, është e pamundur të dihet se për cilin deputet bëhet fjalë. S’kemi asnjë mekanizëm që tregon se cili deputet i ardhshëm ka aktgjykim dënues. Nuk ka element më të rëndësishëm se përfaqësimi i popullit. Përfaqësuesit e përfaqësojnë popullin. Nëse një deputet është i dënuar, nuk mund t’i përfaqësojë qytetarët”, u përgjigj ai.

11:29

Berisha: Arifi është deputet i certifikuar me ligj

Besnik Berisha nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, ka thënë se pretendimet e Vetëvendosjes e të tjerëve për votën e etem Arifit janë të paqëndrueshme.

“Ajo që nënkuptoj dhe e kam vështirësi të kuptoj, është nëse këta sot po sfidojnë aktgjykimin e Supremes që iu referua znj.Daka si praktikë të zbatuar nga KQZ-ja apo po sfidojnë zgjedhjen e Qeverisë Hoti. Këta iu kthyen ditës së certifikimit dhe nuk mund të kontestohet certifikimi i tij. Është e parëndësishme për mua se kur një vendim merr formën e prerë. Nëse Kuvendi është njoftuar në prill, janar apo nga mediat, është e parëndësishme. Nuk ka pasur dënim plotësues për Arifin”, tha Berisha.

Tutje, Berisha vazhdon të theksojë se Etem Arifi, është deputet i certifikuar sipas ligjit në fuqi.

“Kemi një deputet të certifikuar sipas ligjit, nuk është vota e parë e tij kur është votuar qeveria Hoti. Dhe nuk është vota e parë e tij kur Kuvendi është njoftuar për vendimin kundër tij. Nuk është objekt gjykimi nëse Etem Arifi kishte apo s’kishte të drejtë. Kërkesa e thotë se Arifi e ka humbur mandatin e legjislaturës së shtatë, nga një aktvendim i marrë në legjislaturën e gjashtë. Nuk është Kuvendi ai që zëvendëson deputetin. Ju jeni interpretuesit e vetëm”. iu drejtua Kushtetueses Berisha, duke shtuar se “është e parëndësishme kur ka shkuar apo a do të shkojë në burg Arifi. Kushtetua i sanksionon të gjitha”.

11:24

Përfaqësuesi i Kuvendit tregon rastin me tre deputetët e dënuar e që u zëvendësuan

Artan Murati, përfaqësues i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, ka demantuar deputetin e LDK-së dhe kryetarin e Komisionit për legjislacion, Shkëmb Manaj, se një praktikë e tillë çfarë po ndodh me deputetin Etem Arifi ka ndodhur edhe në legjislaturat e kaluara.

Ai, në seancën dëgjimore publike të Kushtetueses, ka thënë se deri më tash janë vetëm tri raste kur deputetët janë dënuar për vepra penale dhe dy prej tyre janë dorëhequr me automatizëm, kurse në një rast, kryetari i Kuvendit i ka kërkuar presidentit të bëjë zëvendësimin e deputetit.

Tutje, ai ka thënë se kryetarja e Kuvendit nuk ka mundur të reagojë më herët, pasi nuk ka pasur informacione të sakta.

11:18

VV: Arifit t’i hiqet mandati i deputetit sepse cenohet integriteti institucional

Blerim Sallahu, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e Gjykatës Kushtetuese për deputetin Etem Arifi, ka kërkuar që deputetit në fjalë t’i hiqet mandati sepse, sipas tij, ai s’mund të përfaqësojë elektoratin pasi është në burg. Sallahu ka thënë se me lejimin e mbajtjes së mandatit të Arifit, Kuvendit i cenohet integriteti institucional.

Ai ka thënë se Kuvendi është dënuar në maj të 2020-s për dënimin e Arifit. Sipas tij, ka pasur moskomunikim të duhur institucional dhe për këtë “Gjykata Kushtetuese ka mundësi të korrektojë gabimin e pafalshëm”.

“Puna në Kuvend e tij është e pabazë. Ai s’mund të përfaqësojë elektoratin e s’mund të marrë asnjë vendim sepse është në burg. Është jashtë mandatit kushtetues. Kuvendi është informuar më 4 maj të 2020-. Atëherë Kuvendi ka filluar gjitha procedurat sepse njeri është dënuar me vendim të formës së prerë. Pasojat fillojnë kur personi juridik është vu në dijeni për këtë. Zoti Arifi në momentin që është bërë deputet ka cenuar integritetin e institucionit të Kuvendit dhe demokracisë në përgjithësi sepse demokracia s’lejon të përfaqësohet nga një deputet që tashmë është në burg. Gjykata Kushtetuese e ka mundësinë të korrektojë një gabim të pafalshëm të moskomunikimit institucional që një deputetit të tillë t’i shpallet i pavlefshëm mandati që të mos lejohet cenimi i integritetit institucional. Deputeti s’i funksion primar e ka përfaqësimin e qytetarëve. Çdo pretendim që kjo është e legjislaturës së kaluar është pabazë kushtetuese sepse Kuvendi është njoftuar në maj 2020”, ka thënë Sallahu.

11:12

Daka shpjegon se si KQZ-ja e certifikoi Etem Arifin

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka folur fillimisht për procedurën e aplikimit të kandidatëve për deputetë, kur në seancën dëgjimore publike po diskutohet rreth ligjshmërisë së votës së Etem Arifit.

Pasi e ka shpjeguar këtë, ka thënë se neni 29 i ligjit tregon se a i kanë plotësuar kriteret.

Ka treguar edhe si rrjedhojë se pse dhe si është certifikuar Etem Arifi.

“KQZ-ja nuk guxon të dezirtifikojë apo mos të certifikojë një kandidat nëse në aktvendim nuk ceket decidivisht që është marrë e drejta për të kandiduar, në të kundërtën KQZ-ja do të bënte shkelje të Kushtetutës. KQZ-ja deri në vitin 2017 ka pasur obligim që të kontrollojë përshtatshmërinë e kandidatëve për asamble apo Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së vendimit të Supremes, KQZ-ja është urdhëruar të certifikojë dhe ka ndaluar këtë praktikë të kontrollës. Neve nuk na është lejuar ta zbatojmë kontrollën. Kështu është kandiduar Arifi dhe KQZ-ja e ka certifikuar”, u shpreh Daka.

11:01

Manaj vlerëson se deputeti Arifi është në rregull me Rregulloren e Kuvendit

Shkëmb Manaj, kryetar i Komisionit për legjislacion, ka thënë se është shqyrtuar shkresa e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, në lidhje me mandatin e deputetit Etem Arifi dhe sipas tij, në asnjë dispozitë të rregullores së Kuvendit nuk flitet për humbje të mandatit, pos në rastin kur nuk paraqitet në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj.

Pasi foli në emër të Komisionit për legjislacion, deputeti i LDK-së deshi të flasë edhe si deputet, por kjo nuk iu lejua nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama – Hajrizi.

Manaj më pas shtoi se vlerësimi i tij, i dhënë në mbledhjet e Komisionit, është se një deputet humb mandatin vetëm nëse dënohet me burgim gjatë atij mandati, gjë që sipas tij nuk është rasti tek Arifi.

10:53

Qeveria e konsideron të papranueshme kërkesën e VV-së që vota e Arifit të shpallet e pavlefshme

Besnik Berisha, i autorizuar për të përfaqësuar Qeverinë e Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese për rastin e votës së deputetit Etem Arifi, e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që vota e këtij deputeti për formimin e Qeverisë Hoti, të shpallet e pavlefshme.

Sipas Berishës, çështja e dënimit të deputetit Arifi s’mund të lidhet me legjislaturën e shtatë, por me atë paraprake. Ai ka thënë në fjalën para Gjykatës Kushtetuese se koha e dënimit të ARifit nuk lidhet me legjislaturën kur deputeti votoi pro formimit të Qeverisë Hoti. Berisha ka thënë se deputeti Arifi nuk ka pasur dënim që ia mohonte të drejtën e zgjedhjes.

“Zoti Arifi e ka humbur mandatin e deputetit në legjislaturën e gjashtë. Pasojat e këtij vendimi janë ekzekutuar dhe kanë pasur fuqi në mandatin e gjashtë. Është e parëndësishme kur është njoftuar Kuvendi”, ka thënë ndër tjerash ai.

10:37

Murati: Praktika e mosinformimit të Kuvendit nga Gjykatat krijon paqartësi ligjore e kushtetuese

Këshilltari ligjor i Vjosa Osmanit, Artan Murati, kritikoi Gjykatat e vendit se nuk po informojnë Kuvendin e Kosovës për aktgjykime të ndryshme, posaçërisht, për rastin në fjalë të Etem Arifit.

“Kemi filluar me verime konkrete rreth çështjes së Arifit. Veprimet e ndërmarra në këtë proces janë këto; Me 29 prill, Osmani është vë në dijeni përmes mediave për Etem Arifin. Më 30 prill, Osmani i ka dërguar letër Hasan Shalës, dhe ka potencuar se Kuvendi nuk është njoftuar fare nga Gjykata. Ka kërkuar nga Shala që t’i përcillet Kuvendit aktgjykimi i dënimit të Arifit. Edhe nga Këshillit Gjyqësor ka kërkuar shtjellim, pasi s’ishte njoftuar. Dua të sjell në vëmendje që Kushtetuesja qëndroi e heshtur kur deputeti hupi mandatin”, tha Arifi.

Sipas Muratit, kryetarja e Kuvendit më 4 maj, pasi mori dosjen finale me aktgjykime, u ka shkruar deputetëve që ta trajtojnë mandatin e tij, konkretisht, komisionit për mandate.

“Më 5 maj ka takuar kryetarët e grupeve parlamentare. Në atë takim kuptoi se ka qëndrime diametralisht të kundërta”, tha Murati.

Sipas Muratit, përderisa nuk ka aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, Osmani nuk mund të marrë veprim për zëvendësimin e tij.

“Si konkluzion, praktika e mosinformimit të Kuvendit nga Gjykatat krijon paqartësi ligjore e kushtetuese, që janë evidente edhe në rastin në fjalë”, tha Murati.

10:12

VV-ja kërkon shpallje të pavlefshmërisë së votës së Arifit dhe të Qeverisë Hoti

Ka nisur seanca publike dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.

Vetëvendosje si parashtruese e kërkesës, vlerëson se vota e Arifit, i dënuar me burgim efektiv për korrupsion, ishte e pavlefshme në kohën kur e dha atë për Qeverinë Hoti.

Blerim Sallahu, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit iu dha fjala të parit, tha se Etem Arifi e ka humbur mandatin e deputetit, është dënuar, dhe kësisoj nuk mund të mbajë vota e tij Qeverinë Hoti.

“Për të kuptuar çështjen kontestuese, i kujtojmë Kushtetueses se pezullimi apo kufizimi i të drejtave politike parashihet me ligj. Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si deputet pasi ai është dënuar me burgim efektiv. Është papërgjegjësi totale juridike”, tha Sallahu.

Si përfundim, Sallahu tha se vota e deputetit Arifi duhet të shpallet e pavlefshme dhe për pasojë edhe qeveria Hoti.

08:37

Kushtetuesja sot mban seancën për rastin e votës së deputetit Arifi për Qeverinë Hoti

Gjykata Kushtetuese sot pritet të mbajë seancë publike online për trajtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje që Qeveria Hoti të shpallet antikushtetuese për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i dënuar për korrupsion.

Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti, pas shkarkimit të Qeverisë Kurti të Lëvizjes Vetëvendosje.

E për këtë të fundit, VV-ja pretendon se vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar me një vjet e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Përkundër dënimit të formës së prerë të vitit 2019, Arifi mori pjesë në dy seanca të Kuvendit, më 25 mars, duke votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ndërsa në seancën e 3 qershorit vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, parti kjo që ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen për 50 ditë.

Të martën, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është pyetur për seancën e sotme dëgjimore në Kushtetuese lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosjes rreth kushtetutshmërisë së zgjedhjes së qeverisë që ai drejton. E Hoti tha se nuk shqetësohet nëse rrëzohet qeveria që ai e drejton, por theksoi se halli i tij i vetëm është menaxhimi i situatës me pandeminë COVID-19.