Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

VV-ja thotë se aktgjykimi i Kushtetueses s’ka të bëjë me Kurtin

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për deputetin Etem Arifi nuk ia ndalon kreut të kësaj partie, Albin Kurtit, që të jetë pjesë e listës dhe garës zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme.

Kushtetuesja të mërkurën shpalli të pavlefshme votën e Arifit për formimin e Qeverisë Hoti dhe çoi vendin në zgjedhje të reja. Në aktgjykim, Kushtetuesja tha se personat e dënuar për vepra penale me vendim të prerë nuk mund t’i hyjnë garës zgjedhore. Si pasojë e këtij vendimi, konsiderohet që as anëtarët e VV-së, kryetari Albin Kurti, dhe ish-deputetja Albulena Haxhiu, s’mund të garojnë pasi në tetor ishin shpallur fajtorë për përdorim të mjetit të rrezikshëm e pengim të personit zyrtar.

Megjithatë, zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu, ka thënë se të dy këta do të jenë pjesë e listës pasi nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit.

“Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një rast dhe çështje specifike. Kemi kërkuar mendimin e saj për pretendimin tonë se Qeveria Hoti është e jashtëligjshme duke qenë se ajo ishte formuar me votën e z.Etem Arifi, i cili, sipas nesh, nuk kishte mandat deputeti sepse paraprakisht ishte i dënuar për një vepër penale me burgim për më shumë se një (1) vit. Gjykata, në këtë rast, ka mundur të bëjë dy gjëra; ta konfirmoj pretendimin tonë apo ta hedhë poshtë. Ajo e ka konfirmuar pretendimin tonë, duke thënë se z.Etem Arifi nuk kishte mandat të deputetit sepse ishte i dënuar me burgim, prandaj edhe qeveria, me votën të cilit ishte formuar, është e jashtëligjshme. Nga ky moment, e ka bërë të qartë se tash e tutje një individ i dënuar me burgim për më shumë se një (1) vjet në tre (3) vjetët e fundit, nuk mund të jetë deputet. Kaq! Pra, përpos shpalljes së Qeverisë si jokushtetuese, ky ka qenë rezultati tjetër nga objekti i shqyrtimit që e ka pasur Gjykata Kushtetuese. Lëvizja VETËVENDOSJE!, Albin Kurti e Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit. Për më tepër ata nuk janë të dënuar me burgim. Prandaj, në këtë aktgjykim nuk kanë ndalesë për të qenë pjesë listës dhe garës zgjedhore. Shihemi më 14 shkurt, në referendum, për qeverisje të mirë, me Albin Kurtin kryeministër”, ka shkruar ai në Facebook.

Zgjedhjet e reja do të mbahen më 14 shkurt.