Dita e sotme ka qenë e fundit për palët e përfshira në çështjen e vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, në mënyrë që t’i dorëzojnë argumentet e paraqitura në seancën dëgjimore të 2 dhjetorit.
Paraqitjen e qëndrimeve në formë të shkruar nuk e ka bërë Komisioni për Legjislacion, kryetar i së cilës është Shkëmb Manaj, raporton KOHA.
“Unë mendoj që Gjykata Kushtetuese do të vendosë brenda këtij muaji për rastin, sepse pas seancës dëgjimore më nuk ka arsye të vonohet për trajtimin e kësaj çështjeje dhe besoj që Gjykata do ta zgjidhë dhe do të vendosë në atë mënyrë që të kërkojë nga Kuvendi që të plotësojë legjislacionin aktual për çështjet që lidhen me deputetët e dënuar”, ka deklaruar Manaj.
Por, ndryshe nga Manaj, qëndrimet në formë të shkruar i ka dërguar në formë të shkruar Lëvizja Vetëvendosje dhe shpresojnë që vendimi të mos vonohet.
“Në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje ato që janë diskutu në seancën dëgjimore të 2 dhjetorit i kemi përmbledhur dhe në formë të shkruar sot përmes e-mail në ora 12 ia kemi dërguar Kushtetueses. Të gjitha pretendimet tona i kemi përmbledhur në mënyrë konkrete, duke përcaktuar se me vendimin e formës së prerë me të cilin është dënuar z. Arifi me 1 vit e tre muaj burgim, Kuvendi është njoftuar diku më 4 maj 2020 dhe mbi bazën e kësaj prej atij momenti konsiderojmë se z. Arifi ka humbur mandatin e deputetit”, ka thënë Blerim Sallahu, Përfaqësues i Vetëvendosjes.
Ndërsa, Besnik Berisha, përfaqësues i Qeverisë në këtë rast, ka thënë për KOHËN se i kanë dërguar qëndrimet në formë të shkruar, por këtë nuk e kanë bërë edhe nga KQZ-ja, KGJK-ja dhe përfaqësuesi i Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për KOHËN ka thënë se seanca për shqyrtimin e lëndës do të mbahet shumë shpejt, por pa dhënë ndonjë datë.
“Seanca për shqyrtimin e lëndës do të mbahet në ditët në vijim, pas datës 7 dhjetor 2020. Si edhe në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë vendim, për këtë njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, ka thënë Veton Dula, zëdhënës i Kushtetueses.
Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar në qershor në Kushtetuese çështjen e votimit të deputetit Etem Arifi në formimin e Qeverisë Hoti.