6 perditesime
21:14

Bulliqi i Vetëvendosjes fiton zgjedhjet në Podujevë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sipas rezultateve preliminare në Komunën e Podujevës, është duke kryesuar Lëvizja Vetëvendosje me 51.64 për qind të votave.

Pas saj është Lidhja Demokratike e Kosovës me 35.97 për qind të votave dhe Partia Demokratike e Kosovës me 12.40 për qind.

Ndërsa në Komunën Mitrovicën Veriore është duke udhëhequr Lista Serbe me 89.86 për qind të votave.

VV-ja me kandidatin Erden Atiq ka 3.68 për qind, PDK-ja me Florent Azemin ka 3.54 për qind dhe një kandidat i pavarur ka arritur 2.92 për qind.

19:33

Mbyllen vendvotimet në Podujevë dhe Mitrovicë V. - në orën 21:00 rezultatet preliminare

Janë mbyllur vendvotimet në Podujevë e Mitrovicë të Veriut.

Këtë e ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e organizuar për media. Qendrat e votimit janë hapur sot në orën 7:00 , raporton KOHA.

KQZ-ja ka njoftuar se në orën 21:00 do të publikohen rezultatet preliminare në të dy komunat.

“Në komunën e Podujevës, në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 40.51% e votuesve ose 35 mijë e 400 nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 40 mijë e 162 votues apo 47.7%”, ka thënë kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Në komunën e Mitrovicës së Veriut, kanë votuar 39.14% e votuesve apo 9 mijë e 124 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 269 votues apo 37.9%”.

Nga ora 19:00 ka filluar afati për t’i paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me zhvillimet në vendvotime gjatë së dielës.

15:42

Në Podujevë votuan 29.76 % e votuesve deri në orën 15:00, në veri të Mitrovicës 30.3 %

Deri në orën 15:00 në Komunën e Podujevës kanë votuar 29.76 për qind e votuesve në zgjedhjet lokale për kryetar komune, ndërsa në atë të Mitrovicës së veriut, 30.3 për qind.

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka tha se procesi zgjedhor në të dyja komunat po zhvillohet qetë dhe se nuk kanë pranuar asnjë informacion për ndonjë parregullsi.

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 15:00 kanë votuar 29.76% e votuesve apo 26 mijë votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 26 mijë e 37 votues apo 31%”, tha ajo.

“Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve apo 7 mijë e 62 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 6 mijë e 275 votues apo 29%”.

Konferenca e katërt për ditën e sotme është në orën 19:30 dhe ka të bëjë me të gjithë ecurinë e procesit të votimit si dhe pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.


Në KQZ ngrihet shqetësimi për qytetarët me letërnjoftim me afat të skaduar

Në konferencën e KQZ-së është ngritur shqetësimi se qytetarëve që iu ka skaduar afati i letërnjoftimit nuk kanë mundur të votojnë.

Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka thënë se MPB-ja ka bërë të ditur kohë më parë që qytetarët që iu ka skaduar afati i letërnjoftimit më 1 janar të këtij viti të përdorin letërnjoftim të vjetër apo me afat të skaduar pasi ka mungesë të materialit për letërnjoftim dhe pasaporta në MPB.

Por, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka edhe pse njëherë nuk deshi që të flas lidhur me çështjet që ngritën nga anëtarët e KQZ-së, më pas tha se qytetarëve që iu ka skaduar letërnjoftimi kanë edhe dokumente të tjera, që mund të identifikohet.

“Kjo çështje është ngritur paraprakisht dhe nuk është marrë vendim. Vendimet e KQZ-së nuk merren ditën e zgjedhjeve lidhur me dokumentet, vendimet merren para ditës së zgjedhjeve dhe nuk krijohen situata konfliktuoze dhe situata të cilat nuk kanë shpjegim”, ka theksuar ajo.

Sipas saj vendimet merren në mbledhje e jo në konferencë. Ajo ka kërkuar nga anëtarët e KQZ-së që të mos krijohen situata të pakëndshme pa nevojë. Debat ka ngritur edhe përdorimi i veturave të MPB-së për nevoja të KQZ-së.

11:40

Deri në orën 11:00, në Podujevë votuan 8.27 % e votuesve, në veri të Mitrovicës 12.62 %

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në knferencën e dytë për zgjedhjet lokale në Podujevë e Mitrovicë veriore, ka njoftuar mbi procesin zgjedhor deri në orën 11:00.

Deri në këtë orë, në Podujevë kanë votuar 8.27 për qind e votuesve të përgjithshëm, ndërsa në veri të Mitrovicës kanë votuar 12.62 për qind të votuesve.

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.27% e votuesve apo 7 mijë e 223 votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 7 mijë e 658 votues apo 9.1%”, ka njoftuar Daka.

“Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2 mijë e 942 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 324 votues apo 15.2%. Konferenca e radhës është në orën 15:30 dhe ka të bëjë lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë si dhe pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00”.

Daka tha se procesi zgjedhor është duke u zhvilluar normalisht dhe se nuk ka pasur lajmërim për parregullsi gjatë votimit.

09:12

Prokurori i Shtetit bën thirrje të raportohet çdo shkelje e mundshme e të drejtës së votës

Prokurori i Shtetit ka ftuar qytetarët, mediat e shoqërinë civile, të përfshirë në zgjedhjet lokale në Podujevë e Mitrovicë të veriut që të raportojnë në Polici dhe Prokurori pretendimet që mund të bëhen për keqpërdorim të votës.

Nga Prokuroria njoftohet se nga ora 7:00 janë angazhuar prokurorë kujdestarë të cilët po përcjellin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zgjedhjet lokale.

“Prokurorët kujdestarë janë në gjendje gatishmërie të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”, thuhet në njoftim.

08:16

KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohën e përcaktuar me ligj

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në konferencën e parë të komisionit të ditës së zgjedhjeve lokale në Podujevë e Mitrovicë të veriut, ka thënë se qendrat e votimit janë hapur me kohë.

“Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohën e planifikuar dhe përcaktuar me ligj”, tha ai.

Ndërkaq, njoftoi edhe më numrin e qytetarëve me të drejtë vote në të dyja komunat.

“Në komunën e Podujevës numri i qytetarëve me të drejtë vote është 87,381, ndërsa numri i qendrave të votimit është 45 me gjithsej 115 vendvotime. Në komunën e Mitrovicës së veriut numri i qytetarëve me të drejtë vote është 23,313, ndërsa numri i qendrave të votimit është 7 me gjithsej 27 vendvotime”, tha Elezi.

Elezi ka kërkuar respektimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Edhe kryetari i KQZ-së në veri të Mitrovicës, Sllobodan Dimitroviq, ka deklaruar se atje janë marrë të gjtiha masat për mbarëvajtje dhe se procesi i votimit ka nisur me kohë.

08:06

Në Podujevë e Mitrovicë të Veriut po mbahen zgjedhjet lokale

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe Podujevës, nën masat anit-covid, sot po votojnë për ta zgjedhur kryetarin e ri, i cili do të ketë mandat deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të vitit 2021.

Komuna e Podujevës, ka mbet pa kryetar pasi Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Në garë për të parin e komunës, janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

Në këtë komunë janë 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 Vendvotime, ku të drejtë vote kanë 87,381 persona.

Komuna e Mitrovicës Veriore ka mbetur pa kryetar nga muaji qershor, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Vetëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur, janë në garë për mandatin e kryetarit.

Në këtë komunë janë 7 Qendra të Votimit me gjithsej 27 Vendvotime, ku të drejt vote kanë 23,313.

Në Mitrovicën Veriore janë hapur të gjitha qendrat e votimit, po ashtu edhe në Podujevë./KSP