Të premten është afati i fundit për aplikim për kryetar të Mitrovicës së Veriut dhe deri më tash, vetëm Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin për t’u certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 29 nëntor.
Sipas KQZ-së, dorëzimi i aplikimit nga Lista Serbe është bërë sot dhe për kandidat ka caktuar Milan Radojeviqin.
"Deri në mesditën e sotme, pra e enjte 29 tetor KQZ ka pranuar një aplikim nga ana e subjektit politik Lista Serbe, pra aplikim për t'u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut”, ka thënë zëdhënësi I KQZ-së, Valmir Elezi, përcjell KP-ja.
Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar, pasi Goran Rakiq dha dorëheqjen për t’u bërë zv.kryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë Hoti.
Më 29 nëntor do të mbahen edhe zgjedhjet për kryetar të Podujevës, por për këtë komunë nuk ka nevojë aplikim, meqë shumë procedura janë kryer në fillim të vitit. Zgjedhjet në Podujevë është dashur të mbahen më 15 mars, por ishin shtyrë për shkak të pandemisë.
Podujeva ka mbetur pa kryetar, pasi Agim Veliu dha dorëheqjen për t’u bërë ministër i Brendshëm në Qeverinë Kurti, e tash mban të njëjtën pozitë edhe në Qeverinë Hoti.