Arbëri

Likaj jashtëligjshëm merr vendim të shtohet numri i studentëve në Mjekësi

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj jashtëligjshëm ka marrë vendim që të shtohet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë. Kjo pasi vendimet për këtë çështje, i merr Këshilli shtetëror i Cilësisë (bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim) me rekomandim të ekspertëve ndërkombëtarë.

KOHA mëson se këtë vendim Likaj e ka marrë sot.

“Miratohet kërkesa e aplikuesve të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për rritjen e numrit të studentëve të rinj për vitin akademik 2020-2021 në nivelin Bachelor në degën mjekësi e përgjithshme prej 150 studentë sa ka aktualisht të rritet numri deri në 50 të rinj varësisht prej kapaciteteve që ka Fakulteti i Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës”. Vendimi hyn në fuqi me nënshkrimin e tij.

Të dielën ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka kërkuar që të shtohet numri i studentëve në Mjekësi. Ai nuk e ka konsideruar kërkesën e tij si ndërhyrje në vendimet e Agjencisë.

Njëjtë sikur Likaj kishte vepruar edhe ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi i cili në vitin 2019 e kishte shtuar numrin e studentëve në Mjekësi. Një veprim i tij ishte konsideruar i jashtëligjshëm dhe ndërhyrje në kompetencat e Agjencisë së Akreditimit.

Agjencia e Akreditimit është përjashtuar nga dy institucionet kryesore evropiane të arsimit të lartë, ENQA dhe EQAR për shkak të ndërhyrjeve politike.

Kjo pasi në vitin 2017 ministri i atëhershëm i Arsimit, Shyqiri Bytyqi me kërkesë të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj shkarkoi Këshillin shtetëror të cilësisë bashkë me ushtruesen e detyrës së drejtorit të AKA-së.

{gallery}