Arbëri

Kërkesa e Zemajt për shtim të numrit të studentëve në Mjekësi shihet si ndërhyrje

Ndonëse Këshilli Shtetëror i Cilësisë në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë përcakton numrin e studentëve që mund të pranohen në institucione të arsimit të lartë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është duke kërkuar të shtohet ky numër në Fakultetin e Mjekësisë.

Këtë kërkesë, siç e ka quajtur ai “emergjente”, ua ka drejtuar ministrit të arsimit, rektorit, kryesuesit të këshillit drejtues të UP-së, si dhe dekanes së Fakultetit të Mjekësisë. Zemaj ka shkruar në Facebook se shtimi i numrit të studentëve në Mjekësi është interes nacional, duke e arsyetuar me mungesë të kuadrit që po largohet nga sistemi shëndetësor, raporton KOHA.

Kërkesën e tij ai nuk e cilëson ndërhyrje në vendimet e Agjencisë së Akreditimit.

“Jo është një vullnet i ministrit të Shëndetësisë dhe politikave që ne përfaqësojmë. Mendoj që duhet të ju japim mundësi shtesë kuadrove, nxënësve shembullor që të jenë pjesë e studimeve bazike shkencore në pjesën e Mjekësisë dhe kjo ka qenë edhe një thirrje publike sipas parametrave që ne po i zhvillojmë”, ka deklaruar Zemaj.

E rektori i UP-së, Naser Sahiti, vlerëson se tashmë është bërë pranimi i studentëve të cilët kanë nisur edhe procesin mësimor dhe se nuk mund të ketë shtim të numrit të studentëve.

“Të gjitha institucionet që janë të interesuara për mbarëvajtjen e procesit mësimor në UP duhet ti respektojnë vendimet e Këshillit shtetëror të cilësisë lidhur me kuotat e studentëve. Ka pasur vitin e kaluar një shmangie nga ato vendime dhe kjo ka bërë që gjendja me atë grup të studentëve të mos jetë ende e definuar me atë grup të studentëve në MASH prandaj është mirë që të evitohen situate të tilla”, ka thënë Naser Sahiti, rektor i UP-së.

Edhe dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, i është përgjigjur ministrit Zemaj përmes një letre, duke thënë se kriteret ligjore të akreditimit nuk kufizohen vetëm në ato akademike, financiare, infrastrukturore, por ndërlidhen edhe me tregun e punës. Është zotuar se në procesin e ardhshëm të riakreditimit do të kërkojnë shtimin e numrit të studentëve në pajtim me kriteret e ekspertëve ndërkombëtarë dhe KSHC-së.

Për kërkesën e Zemajt, KOHA ka kërkuar një qëndrim nga Bordi i AKA-së dhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj, por nuk ka marrë.

Në Fakultetin e Mjekësisë në afatin e parë janë pranuar 370 studentë, kurse në afatin e dytë 23. Ndërkaq kanë mbetur edhe 27 vende të lira, të cilat janë të rezervuara për komunitetet dhe studentet që vijnë nga Maqedonia, Shqipëria e Mali i Zi.